Aktivisti Edison Lika tha sot nga sheshi i protestës në ditën e saj të 53-të se SPAK ka shkuar në dy institucione të rëndësishme për hetime, me të cilat Rama ka bërë të gjitha punët e pista. Bëhet fjalë për KKT dhe AZHT, kjo e fundit Agjencia e Zhvillimit të Territorit, ku firmosen lejet për kulla e restorte.
Lika nënvizoi se kjo tregonte që drejtësia po i afrohej edhe më shumë kryeministrit dhe se nuk do ishte e largët dita që ai do ishte në pranga. “Sot ka dalë një lajm që SPAK ka zbarkuar në dy institucione shumë të rëndësishme, te KKP-ja dhe AZHT-ja. Unë nuk do isha gëzuar më shumë, e dini pse? Se të gjitha projektet famëkeqe dhe korruptive e kriminale, Edi Rama i ka fismosur në KKP.
Ditë më parë i kemi kërkuar institucioneve të drejtësisë dhe SPAK të hetojë Ramën. Fakti që ata sot kanë shkuar në KKP dhe kanë marrë disa dosje që kanë të bëjnë me Zvërnecin dhe pika të tjera të shumta strategjike që këta i kanë dhënë siç i ka dhënë do të thotë shumë.
Kjo protestë i ka detyruar ato institucione të drejtësisë që ta vendosin Ramën dhe shumë të tjerë me shpatulla pas muri”, tha ai. Lika shtoi se tani mazhoranca e pushtetit ishte në panik dhe nuk dinin kë të mbronin më parë, Ballukun, Ballën apo Ramën, që janë të gjithë me dosje penale. “Fakti që ne vijojmë këtu për ditën e 53-të do të thotë se këto institucione më në fund po lëvizin.
Nëse kanë shkuar te KKP do të thotë se Ramës i janë afruar shumë dhe s’do jetë e largët dita ku do shkojë me pranga në duar. Janë zënë në çark. Nuk dinë kë të mbrojnë më parë në këto momente. Të mbrojnë Taulant Ballën që po i vjen dosja nga Gjermania, të mbrojnë Belinda Ballukun që po i shkon dosja në Parlament apo të mbrojnë kreun e qeverisë, Edi Ramën”, u shpreh ai.
Aktivisti theksoi se qeveria kriminale e kishte vendin në burg, ndaj apeloi që nesër të mblidheshin të gjithë para Parlamentit që nuk i përfaqësonte. “Si duket nuk do mbrojnë dot asnjë, se qeveria korruptuar kriminale e ka vendin pas hekurave.
T’i japim edhe një goditje të fuqishme e të rëndësishme kësaj qeverie kriminale ndaj nesër në 8.30 të mblidhemi të sheshi Skënderbej dhe më pa te Parlamenti. Ai Parlament nuk na përfaqëson. Edhe ajo protestë nesër do jetë si të gjitha, paqësore, ndaj mos hezitoni të vini me gra, me fëmijë, se Shqipëria është e jona.
Ne nuk do ikim, parlamentarët do ikin”, përfundoi Lika, para se të jepte kushtrimin e marshimit të përnatshëm nga bulevardi në rrugët e Tiranës.
