Ushtarët polakë dhe gjermanë përforcojnë së bashku kufirin e Polonisë

0%

Ushtarët e Polonisë dhe Gjermanisë po punojnë së bashku për të përforcuar kufirin polak me Rusinë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar krahun lindor të NATO-s, njoftoi kryeministri polak Donald Tusk.

Në një postim në platformën X, Tusk bëri të ditur se forcat e të dy vendeve janë angazhuar në punime të përbashkëta përgjatë kufirit, duke e cilësuar bashkëpunimin si një shembull të koordinimit të ngushtë mes aleatëve.

Operacioni është pjesë e programit afatgjatë East Shield, me të cilin Polonia synon të forcojë kufijtë e saj lindorë përmes ndërtimit të fortifikimeve, sistemeve të mbikëqyrjes, infrastrukturës ushtarake dhe pengesave mbrojtëse.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në një video të publikuar nga autoritetet, një ushtar gjerman tha se misioni synon forcimin e krahut lindor të NATO-s, ndërsa theksoi se trupat gjermane janë të vendosura në Poloni në bazë rotacioni. Nga ana tjetër, një ushtar polak u shpreh se njësitë po kryejnë punime inxhinierike dhe njëkohësisht po shkëmbejnë përvojë operacionale.

Polonia dhe Gjermania nënshkruan në qershor një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, e cila parashikon koordinim më të ngushtë ushtarak, përfshirë bashkëpunimin në programin East Shield dhe përmirësimin e lëvizjes së forcave aleate në territorin polak.

Burimi: Bota Sot