Me thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe kundër klasës politike, qytetarët kanë zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës protestën e 53-të radhazi në kryeqytet, duke vijuar marshimin e tyre në rrugët e Tiranës. Protestuesit u mblodhën në sheshin përpara Kryeministrisë, nga ku nisën marshimin drejt disa prej akseve kryesore të qytetit.
Gjatë gjithë lëvizjes së tyre, ata përsëritën thirrjet që janë bërë tashmë simbol i kësaj proteste: “Rama jep dorëheqjen!” dhe “Dorëheqje!”. Përveç kërkesës për largimin e qeverisë, protestuesit shprehën pakënaqësi ndaj të gjithë klasës politike, duke përcjellë mesazhe kundër përfaqësuesve të Kuvendit.
“Nuk na përfaqësoni!” dhe “Shqipërinë e kemi ne!” ishin disa prej thirrjeve që shoqëruan marshimin e mbrëmjes së 53-të, drejtuar deputetëve të Parlamentit.
