Një rast i dhunës në familje është raportuar në Graçanicë, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për sulm fizik dhe marrje të telefonit celular, ndërsa i dyshuari është larguar dhe ende nuk është arrestuar, raporton Sinjali. Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është N. P., 26 vjeçar, ndërsa viktimë K. R. 30 vjeçare.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur në një banesë në rrugën “Dragan Ristiq” në Graçanicë, ku çifti jetonte së bashku. Viktima ka deklaruar para Policisë se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur në pjesën e kokës dhe duke i shkaktuar lëndime trupore. Pas sulmit, ai dyshohet se ia ka marrë edhe telefonin celular dhe është larguar nga shtëpia.
Gruaja ka marrë ndihmën e parë nga ekipi mjekësor, ndërsa njësia policore për dhunë në familje ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur veprimet hetimore. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Policia ka kontrolluar edhe shtëpinë e prindërve të të dyshuarit në Llapnasellë, por ai nuk është gjetur.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa Policia po vazhdon kërkimet për arrestimin e N. P.. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
