Vëllezërit Andrew dhe Tristan Tate janë ndaluar nga autoritetet amerikane në kuadër të procedurave për ekstradim drejt Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa ndaj tyre rëndojnë gjithsej 59 akuza penale. Pamjet e publikuara nga momenti i arrestimit tregojnë përballjen e dy vëllezërve me autoritetet amerikane pas kërkesës së bërë nga Britania e Madhe për vazhdimin e procedurave ligjore.
Sipas autoriteteve britanike, akuzat lidhen me vepra të dyshuara që pretendohet se kanë ndodhur mes viteve 2010 dhe 2017 dhe përfshijnë disa persona të dëmtuar. Andrew Tate përballet me 42 akuza, ndërsa Tristan Tate me 17. Mes akuzave ndaj tyre përfshihen pretendime për përdhunim, trafikim për shfrytëzim seksual dhe vepra të tjera penale, të cilat vëllezërit Tate i kanë mohuar.
Avokati i tyre, Joseph McBride, ka deklaruar se klientët e tij janë të pafajshëm dhe i ka cilësuar akuzat si të motivuara politikisht. Tashmë pritet zhvillimi i procedurave gjyqësore për ekstradimin, ndërsa rasti vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe publike për shkak të profilit të lartë të dy vëllezërve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
