Nuk është fjala për DUÇEN apo Benito Musolinin, por për një të ngjashëm me të. Një ngjashmëri fatkeqe dhe krejt banale, sepse ku është Duçja i fashizmit e ku është ky yni, për të cilin do të tregoj. E quanin Dane Grëmllari dhe këtë paranomë “Duçe” e mori krejt rastësisht. E mori atë nofkë dhe i mbeti pas tërë jetës. E di që do të pyesni: “Si ndodhi?” Veç kini durim.
Dane Grëmllari, tek po kalonte rrugës, u ndesh ballë për ballë me Hanko Xhixhinë. Ai aty tek të 50-tat, ajo tek të 80-tat. E mbajtur goxha kjo Hanko Xhixhia dhe nga goja – shpatë. Sikur priste hekur. Jo vetëm gratë e kishin frikë, por edhe burrat.
Nuk di se ç’bodec e kishte shpuar nga ky Dane Grëmllari dhe menjëherë iu lëshua: – More ti, Duçe, – i tha, – ç’më dërdëllisje pardje atje tek sheshi? – Kujt i thua Duçe, ti? Mua që i vura pushkën jo vetëm Duçes, por edhe gjermanit? – Kujt ia vërvit ato “pleshta” ti? Mua që e kam parë me këta sy atë Duçen dhe je soj si ai.
Korba Hatixhe, ç’ka hequr kur të nxori nga “konaku” me këtë kokë të madhe, sa po t’i biesh një demi, ia rrëzon brirët përdhe; dhe këtë trup kaba si të Duçes, që po ta çash me sharrë, nxjerr aq dërrasa sa shtron tri konakë. Duart m’i ke si putra ariu… Dhe nuk mbaronte Hanko Xhixhia me fjalët e saj, sa Dane i ziu ia mbathi. Dania ia mbathi, por paranoma iu ngjit si rrodhe nga pas.
Së pari e dëgjoi Tana e Shefitit dhe kjo vuri tellallin te gratë e fshatit: “Dane-agait, që sot e tutje do t’i themi Duçe, se ia preu kërthizën Hanko Xhixhia!” E gojë më gojë u hap fjala dhe, sa gratë, e ca më shumë fëmijët, luanin me fjalën “Duçe”.
Po kalonte rrugës Dania dhe po shkëmbehej me një nxënës shkolle. – Mirëmëngjes, xha Duçe! – përshëndeti fëmija. – Epo, edhe fëmijët… – tha Dania. – Pa hajde pak këtu, – i tha. – I kujt je ti, o bir? – I Kalemit. – Mirë, mirë… Dania thirri tek porta e Kalemit.
Doli e zonja e shtëpisë dhe Dania i tha: – Fol pak atij djalit se më thotë “Duçe”, muana. – Mos ki merak, o Duçe aga, se do t’ia bëj veshët tërkuzë. – Aha, – tha Dania me vete, – e paska mësuesin në shtëpi. Tek ikte rrugës, zinte e mallkonte Hanko Xhixhinë që i kishte vënë këtë paranomë të lig. “Është grua, – tha me vete, – sos është burrë.
Pastaj mua më ka pritur ‘kollopan’, se, për të thënë të drejtën, Hanko Xhixhia qe edhe si ‘mami popullore’.” E sa për atë Duçen e italianëve, e kishte parë vërtet kur qe martuar me burrin e parë. Si vdiq burri i parë, erdhi e u martua me Fehratin. Po edhe ky vdiq. Ndaj dhe thoshin: “Larg nga Hanko Xhixhia, se i ha burrat.” Kishte hije të rëndë prej magjistrice.
Kot nuk shkrova se ngjashmëria me Duçen e fashizmit qe fare banale. Dania, i Alush Grëmllarit, kishte qenë partizan. Kishte luftuar kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë. Fliste për beteja dhe thoshte: “Jo kështu, jo ashtu…”, e ndonjëherë, shkonte edhe gjaku deri në gjunjë. E thirrëm në jubileun e çlirimit të fliste para shkollës. Pak në “vija të trasha” ishin fjalitë e tij.
Jo në këtë betejë kështu e jo atje. Qaniu, që bënte historikun e fshatit, e pyeti: – A e mban mend sa gjermanë ke vrarë? – Aha, – tha Dania, – unë nuk di të “gavnjej” (gënjej). Kam shtyrë, po sa kam vrarë nuk e di. Por më shumë ka vrarë Kadriu. Dhe Qaniu: – Cili Kadri? Apo Kadriu i Harizit? – Po ç’Kadri i Harizit? Kur luftonja unë, Kadriu i Harizit i binte maces me lugë.
E kam fjalën për Kadri Hazbinë, që është ministër i Brendshëm. Dhe veç tij kam edhe pesë shokë të tjerë, por nuk është vendi t’i përmend. Dania, që kishte luftuar, punonte në kooperativë me shokët. Sakaq, qenë prishur me rusët dhe me kinezët dhe qenë kthyer ato “zboret” 17-ditore. Ata të Degës Ushtarake, ngaqë e njihnin Danen dhe dinin edhe moshën e tij, nuk e përfshinë në listë.
Domethënë, tha Dane Grëmllari: “Ti, Dane që ke luftuar dje, sot je i vdekur dhe i pakallur.” Dhe tym nga mendja u sul andej. – Ore, – u tha, – unë vërtet po shkoj drejt të 60-tave, por akoma nuk e ha bukën thatë, una! I kërkuan ndjesë dhe e mobilizuan në një kompani këmbësorie art-mitraliere.
Kompanisë i erdhi detyra që, në rrugë e parrugë, të ndryshonte pozicionin, sepse armiku kishte zënë pozicion mu rrëzë Shpiragut. Pjatën e mortajës në kurriz Danes dhe: “O burra, të dëbojmë armikun!” Kur mbërriti kompania në “fushëbetejë”, Danes këmbët iu bënë plagë dhe shpatullat iu çanë nga pesha mbi kurriz. Kur u kthye nga “luftimi”, zuri vend në shtëpi.
E shkreta, e shoqja, ç’hoqi për ta mjekuar. Fshati ishte larg nga qyteti dhe “dermani” i fshatit ishte Hanko Xhixhia. Kjo ishte shëronjëse. Kur erdhi Zenepja, e shoqja e Danes, ngaqë e kishte marrë vesh se zborin e kishte kërkuar vetë, mbërriti me gjithë “pomadën”. Kur i pa plagët në këmbë dhe vragat mbi shpatulla, iu lëshua: – Ore, Duçe, po nuk nxure njëherë!
E bëre si breshka që vajti tek nallbani dhe i tha: “Më ngul edhe mua një gozhdë!” Ia “lau” me raki plagët dhe, tek po ia lyente me kujdes, i tha një tjetër “gozhdë”: – Nuk të kam thënë që lopa kokëmadhe nuk ka qumësht? Duçja mend kafshonte gjuhën, se Hanko Xhixhia dorakun e kishte me vete. Kur iku, Dania i tha të shoqes: – Më mirë të mbetja ulok, sesa të mbaja “gozhdët” e saj.
