Atletico Madridi ka mbyllur derën për një transferim të mundshëm të sulmuesit Julian Alvarez te Barcelona, duke bërë të ditur se nuk do të negociojë me klubin katalunas as në afatin aktual dhe as në të ardhmen.
Drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil, ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke theksuar se Alvarez nuk do të transferohet te Barcelona përderisa ai është në krye të klubit. “Kam qenë në botën e futbollit për më shumë se 30 vjet dhe, përderisa jam CEO, Julian Alvarez nuk do të transferohet te Barcelona. Kjo është absolutisht e sigurt”, ka deklaruar Gil për Movistar.
Ai gjithashtu ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj Barcelonës, duke e akuzuar klubin katalunas për mungesë etike. “Jemi të indinjuar dhe të neveritur nga mungesa e etikës. Nuk do të negociojmë me Barcelonën. Vendimi i vetëm dhe i prerë është se nuk do të negociojmë me Barcelonën”, ka shtuar Gil.
Kësisoj, Atletico Madridi duket se ka vendosur një qëndrim të qartë sa i përket së ardhmes së yllit argjentinas, duke e bërë të vështirë një transferim të tij në Camp Nou.
