Radio Televizioni i Kosovës e ka larguar nga puna gazetarin Ernest Luma, i cili ka qenë nder udhëheqësit e protestave studentore të vitit 1997. Luma ka treguar se largimi i tij nga puna ka ndodhur për shkak të postimeve të tij në rrjete sociale. Në profilin e tij në Facebook, Luma ka shkruar se këtë gjë e ka paditur televizionin publik.
“Këto ditë e kam adresuar në gjykatë dhe në instancat tjera kompetente padinë ndaj RTK-së, pas vendimit të datës 28 gusht, sipas meje krejt të padrejtë, për largimin tim nga puna në këtë medium.
Vendimi kishte ardhur ngase dikush diku nuk e ka duruar sarkazmën ndaj zhvillimeve ne vend, në shkrimet e mia, dhe pas disa postimeve në rrjetin social Facebook ishte inicuar një procedurë disiplinore nga u.d. kryeredaktori i RTK-Radios dhe ishte aprovuar më pas nga u.d. drejtori i RTK-Radios.
Brenda pak ditësh dhe pa arsyetime të detajuara, vetëm duke aluduar shpejt e shpejt, se me postimet e mia kinse e paskam shkelur njëfarë neni në një rregullore të RTK-së, ma kanë përcjellur në e-mail vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me RTK-në”, ka shkruar ai. Ai ka bërë me dije se punën e tij e ka kryer me përkushtim.
“Gjatë punës sime në RTK, konkretisht në RTK-Radio, në të gjitha pozitat e deritashme, jam angazhuar që me profesionalizëm dhe me paanësi t’i kryej përgjegjësitë e mia. Ndërkaq, postimet në faqen time në Facebook, konsideroj që janë personale dhe nuk kanë pasur të bëjnë me punën dhe angazhimin tim në RTK, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast.
Gjithashtu, në ato postime unë askund nuk e kam përmendur RTK-në, as nuk jam nënshkruar si pjesë e RTK-së”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje, shkruan nacionale. “Këto dy gjëra kanë qenë të ndara dhe rrjedhimisht nuk e kanë përzier asnjëherë njëra-tjetrën.
Në postimet e mia, kryesisht me përmbajtje sarkastike, në asnjë moment nuk u jam adresuar personave apo personaliteteve të caktuara, nuk kam ofenduar askënd dhe nuk e kam linçuar askënd, ndërkohë që këtë e kanë bërë dhe e bëjnë përditë shumë të punësuar të tjerë në RTK (por, si gardianë të pushtetit aktual dhe si atakues të përditshëm të opozitës), ndaj të cilëve nuk është marrë asnjëherë ndonjë masë”, ka shkruar ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
