Në prehrin e kombit tonë lindën dhe u përkundën me ninulla iliro-arbërore kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) dhe Nënë Tereza. Njëri u bë çlirimtar i Arbërisë, udhëheqës i unitetit vëllazëror e fisnor dhe mbrojtës i civilizimit të përbashkët të familjes europiane.
Ndërsa tjetra u bë nëna e gjithë botës së vuajtur, të lënguar dhe në mjerim, për t’i sjellë shpresën, për t’i shuar etjen, për t’ia shëruar plagët dhe për t’i larguar vetminë me dashuri, besim e humanizëm të pashembullt.
Që nga ajo kohë, kombi ynë nuk ka nxjerrë në dritë figura të tilla madhore të të gjitha kohërave, të cilat nuk janë bekim e dritë vetëm për popullin prej nga vijnë, por edhe për mbarë njerëzimin dhe qytetërimin e përbashkët europian.
