Haziri: LDK-ja mbetet e hapur për dialog, vendos nesër për

0%

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij ka kërkuar mbajtjen e seancës deri në mesnatë për të respektuar afatet dhe frymën kushtetuese, duke theksuar se deputetët kanë përgjegjësi të mbrojnë institucionet dhe interesin e qytetarëve.

Ai tha se LDK-ja e sheh veten si “gardiane të Republikës” dhe se angazhimi i deputetëve është të avancojnë mirëqenien e qytetarëve dhe të ruajnë rendin kushtetues. Sa i përket seancës së thirrur për të shtunën, Haziri bëri të ditur se LDK-ja do të mblidhet në mëngjes për të vendosur nëse do të marrë pjesë.

Haziri konfirmoi se LDK-ja mbetet e hapur për takime të tjera me Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse, sipas tij, palët vazhdojnë të kenë dallime për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Duke folur për kërkesën e LDK-së që të propozojë kandidatin për president, Haziri tha se kjo nuk lidhet me postin e kryeministrit, por me nevojën për balancim të pushtetit mes partnerëve qeverisës. “Nëse Qeverinë e udhëheq partia e parë, atëherë pushteti duhet të balancohet me partnerët.

Një president i zgjedhur me dy të tretat është figurë konsensuale, u shërben të gjithëve dhe mbron rendin kushtetues”- u shpreh ai për media pak para mesnatës së 7 gushtit. Haziri doli në konferencë për media me një pjesë të deputetëve të LDK-së. Në fund, Haziri mohoi raportimet se emri i tij është diskutuar si kandidat i mundshëm i LDK-së për postin e presidentit.

Haziri ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar deri sonte kur është pyetur nëse Vjosa Osmani mbetet emri i propozuar i kësaj partie për postin e presidentit. Po ashtu, kritikoi faktin që dyert e sallës plenare janë mbyllur për deputetët. “Mbyllja e derës të sallës plenare është frikë, është cenim”- tha ai.

Burimi: Kallxo