Në përmbyllje të Javës Botërore të Gjidhënies, organizata “Action for Mothers and Children” (AMC) ka njoftuar se ka zgjeruar programin “Klasat për Nëna” me një lokacion të ri në Fushë-Kosovë, ndërsa ka përuruar edhe një mural publik me qëllim të sensibilizimit për rëndësinë e gjidhënies.
Përmes një njoftimi AMC ka thënë se pas përfundimit të një trajnimi të specializuar, 11 infermiere dhe mami do të udhëheqin “Klasat për Nëna” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë-Kosovë.
Përmes këtij programi, sipas AMC-së, familjet do të kenë qasje falas në këshillim dhe informata të bazuara në evidencë lidhur me planifikimin familjar, shtatzëninë, lindjen, gjidhënien, kujdesin për lehonën, kujdesin për të porsalindurin dhe prindërimin e hershëm. Klasat ofrohen gjithashtu edhe në “The Ideas Partnership” në Fushë-Kosovë.
Me hapjen e këtij lokacioni, siaps AMC-së, programi “Klasat për Nëna”, i inkuadruar në Dhomën për Edukim dhe Promovim Shëndetësor, është tashmë i pranishëm në 21 lokacione në 17 komuna të Kosovës. Në kuadër të aktiviteteve për promovimin e gjidhënies, AMC përuroi edhe një mural të ri në hyrje të Qendrës së Mjekësisë Familjare 2 (QMF 2) në Fushë-Kosovë.
“Vepra artistike, e realizuar nga artistja kosovare Ermira Murati, e njohur si “Orange Girl”, paraqet një nënë duke ushqyer me gji foshnjën e saj dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin publik për rëndësinë e gjidhënies.
Ky është murali i dytë i realizuar nga Murati në bashkëpunim me AMC-në, pas atij të përuruar në Prishtinë gjatë Javës Botërore të Gjidhënies në gusht të vitit 2025”- thuhet në njoftim.
Komunikata citon drejtoreshën ekzekutive të AMC-së, Rina Demiri-Spahija, e cila ka theksuar se gjidhënia gjatë gjashtë muajve të parë të jetës është ndër mënyrat më efektive për të mbështetur mbijetesën, shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës dhe sjell përfitime të rëndësishme shëndetësore edhe për nënën.
“Duke zgjeruar qasjen në informata të besueshme dhe mbështetje profesionale, mund t’i ndihmojmë nënat të ndihen më të sigurta për gjidhënien dhe t’u japim më shumë foshnjave një fillim të shëndetshëm në jetë”- citohet të ketë thënë ajo. AMC njoftoi gjithashtu se në fillim të kësaj jave ka hapur një hapësirë të re të “Klasave për Nëna” në Klinikën e Neonatologjisë në Prishtinë.
“Dhoma, e dedikuar për nënat e foshnjave që marrin kujdes të specializuar, është mobiluar dhe pajisur falë një donacioni prej 5 mijë eurosh nga Bambo Nature Kosova, e cila ka dhuruar edhe 100 çarçafë, 100 këllëfë jastëkësh dhe 100 këllëfë jorganësh për klinikën”- thuhet në njoftim.
Sipas AMC-së, zgjerimi i programit është bërë i mundur falë kontributit të donatorëve nga diaspora shqiptare në Zvicër. Organizata AMC është një organizatë jofitimprurëse që punon për përmirësimin e shëndetit të nënave, foshnjave dhe fëmijëve në Kosovë, përmes edukimit, mbledhjes së fondeve, avokimit dhe hulumtimit. Foto: AMC. Foto: AMC. Foto: AMC.
Aktivitetet e AMCsë në kuadër të Javës Botërore të Gjidhënies. Foto: AMC.
