Gazetari serb Radomir Dimiq e ka kritikuar vizitën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, duke e cilësuar atë një “gabim të madh politik dhe gjeopolitik” që, sipas tij, i shkon në favor presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Në një shkrim autorial, Dimiq ngre pyetjen se çfarë fshihet pas vizitës së Zelenskyt në Serbi, duke përmendur raportimet e gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung se në fokus të bisedimeve mund të jenë bashkëpunimi ekonomik dhe ai në industrinë e mbrojtjes, përfshirë mundësinë e prodhimit të përbashkët të dronëve.
Sipas tij, vizita ishte planifikuar prej kohësh, por ishte shtyrë disa herë. Ai i referohet edhe raportimeve të Deutsche Welle, sipas të cilave brenda Kievit ka pasur zëra që kanë kundërshtuar vizitën e presidentit ukrainas në Serbi, për shkak të qëndrimeve të saj tradicionale proruse.
Ai pwrmend edhe një intervistë e ish-ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili ka deklaruar se gjatë mandatit të tij SHBA-ja ka mbështetur blerjen e municionit serb për nevojat e Ukrainës, duke theksuar se edhe Moska ishte në dijeni për këtë bashkëpunim.
Dimiq shkruan se Serbia vazhdon të mbajë marrëdhënie të afërta me Rusinë, ndërsa njëkohësisht zhvillon bashkëpunim me Ukrainën në fusha të caktuara, përfshirë industrinë ushtarake. Ai përmend edhe raportimet se po shqyrtohet mundësia e prodhimit të përbashkët të dronëve dhe se Ukraina e Serbia po punojnë për një marrëveshje të tregtisë së lirë.
Në fund të analizës së tij, gazetari serb vlerëson se takimi mes Zelenskyt dhe Vuçiqit është politikisht i gabuar, pasi, sipas tij, i jep mbështetje presidentit serb në një periudhë kur në Serbi po intensifikohet fushata parazgjedhore.
Ai thekson se Serbia ishte i vetmi shtet pjesëmarrës në Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore që nuk e nënshkroi deklaratën për vazhdimin e mbështetjes politike, ushtarake dhe të sigurisë për Ukrainën, si dhe për rritjen e presionit ndaj Rusisë.
Sipas Dimiqit, kjo dëshmon se presidenti Aleksandar Vuçiq vazhdon të ndjekë një politikë të balancimit mes Perëndimit dhe Rusisë, ndërsa përfundon se vizita e Zelenskyt rrezikon t’i japë legjitimitet ndërkombëtar presidentit serb në një moment politik të ndjeshëm.
