Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Kur janë mbushur katër vjet prejse u zhvendos nga objekti i vet në emër të restaurimit, e ai i përkohshmi s’i plotëson kushtet, Teatri Kombëtar i Kosovës s’i ka shuar ëndrrat dhe synon një projekt madhor: “Romeon e Xhulietën” e Shakespeareit nën regji të Ilir Bokshit. Me të do ta hapë sezonin.
“Është një prej atyre ëndrrave që do të duhej të realizohej dhe besoj që edhe për publikun do të jetë diçka shumë e rëndësishme”, ka thënë Kushtrim Mehmeti, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm Teatri Kombëtar i Kosovës synon që sezonin e ardhshëm ta hapë me një produksion madhor e ambicioz dhe për këtë tashmë ka nisur përgatitjet.
Do të inskenojë “Romeo e Zhulietën” e Shakespeareit. Regjinë do të bëjë Ilir Bokshi. TKK-ja tashmë ka hapur audicionin për disa role në këtë tragjedi të shkruar në fundshekullin XVI, e cila e kthen ngjarjen në mesjetë në Verona të Italisë dhe konsiderohet si një prej dramave më të inskenuara në histori tok me vepra të tjera të dramaturgut anglez.
Kërkon aktorë për 16 role, njëri prej kritereve është mosha nën 35 vjeç, e kandidatët do t’i nënshtrohen audicionit të martën e kësaj jave. Bokshi është i njohur edhe për inskenime të tjera të veprave të Shakespeareit, një prej tyre pikërisht në institucionin kryesor të teatrit në vend, 14 vjet më parë. Ishte “Nata e dymbëdhjetë”.
Qe një prej shfaqjeve më të suksesshme të asaj kohe, mori edhe Çmimin për shfaqjen më të mirë të vitit e u shfaq edhe jashtë vendit. Për “Romeon e Zhulietën” pritjet janë edhe më të mëdha, ani pse TKK-ja si “qiraxhi” në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, është larg kushteve për projekte si këto.
Në ditën e parë të korrikut, janë mbushur katër vjet prejse u zhvendos nga objekti i vet në emër të restaurimit. Finalizimi i punimeve nuk është as afër. Por krejt këto s’i kanë shuar ëndrrat e TKK-së. “Është një prej atyre ëndrrave që do të duhej të realizohej dhe besoj që edhe për publikun do të jetë diçka shumë e rëndësishme.
Sidomos që regjisori Ilir Bokshi para, gati para një dekade, ka punuar ‘Natën e dymbëdhjetë’ që ka qenë një shfaqje shumë e suksesshme po ashtu e Shakespeareit. Po shpresoj se do të kemi impaktin e njëjtë sikurse kjo shfaqje, e edhe më mirë madje”, ka thënë të dielën Kushtrim Mehmeti, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm.
Shfaqja sipas tij pritet ta ketë premierën në pjesën e dytë të shtatorit në Amfiteatër. “Data e përafërt midis 20 e 25 shtatorit”, ka thënë ai. Audicionet janë për role dytësore e tretësore. “Dhjetë personazhe i ka përzgjedhur regjisori”, ka thënë Mehmeti. Për rolet e radhës interesimi nuk ka qenë i vogël.
“Deri të premten janë mbi 40 veta të interesuar, për vikend nuk kam informacion”, ka thënë ai. Ani pse jo rrallë në këto katër vjet, realizimin e projekteve Teatrit Kombëtar të Kosovës ia ka determinuar mungesa e kushteve, duke iu përshtatur atyre që ofron Amfiteatri, në rastin e “Romeos e Zhulietës” ndryshe lexohet situata. “Hapësira ka qenë përzgjedhje e regjisorit.
Është shfaqje shumë e madhe, ka përafërsisht 30 aktorë, por që është e adaptueshme për hapësirën ku jemi”, ka thënë ai. Sfiduese i ka cilësuar kushtet, por me premierën e radhës, presin një “përmbysje”.
“Është shumë e rëndësishme, këta tre vjet e gjysmë si drejtor artistik e tash edhe si ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm ka qenë një sfidë shumë e madhe sepse jo gjithherë është përcaktuar ajo që kemi përzgjedhur në dëshirat dhe në ato që mendojmë që duhet të jenë. Gjithmonë na ka determinuar hapësira”, ka thënë ai.
Se çfarë ka menduar regjisori pritet të shihet kur shfaqja nis të marrë formë, por Mehmeti ka zbardhur disa shenja. Edhe Kulturë 3 shk 2026 Opera e Kosovës harron kushtet, synon tri projekte të mëdha “Dëshira e çdo regjisori dhe çdo udhëheqësi do të ishte që të jetë një teatër që do të plotësonte qind për qind kushtet, mbase edhe më shumë.
Por shpesh shfaqjet në një ambient të tillë si Amfiteatri, dinë ta tejkalojnë penalizimin dhe të kalojnë në favorizim. Gjerësia e skenës me gjithë skicat që kam parë prej skenografit dhe idenë e regjisorit, besoj se do të jetë favorizuese dhe jo penalizuese”, ka thënë Mehmeti. Nëse do të jetë e tillë, pritet të shihet në shtator.
Teatri Kombëtar i Kosovës në dekadën e fundit ka parë inskenime të “Romeo e Zhulietës”. Por ka qenë vetëm nikoqir. Në majin e vitit 2015 erdhi si bashkëprodhim midis “Qendrës Multimedia” të Prishtinës dhe “Radionica Integracija” nga Beogradi. Nën regji të Miki Manojloviqit bashkoi aktorë nga Kosova e Serbia. Më pas u shfaq edhe në Beograd, Tiranë, Sarajevë dhe qytete të tjera.
Në vija të trasha “Romeo dhe Xhulieta” rrëfen historinë e dashurisë së dy të rinjve Romeo Montagut dhe Xhulieta Kapuletit, të cilët u përkasin dy familjeve në armiqësi të vazhdueshme. Megjithëse familjet e tyre janë kundërshtare, Romeo dhe Xhulieta bien në dashuri dhe martohen fshehurazi. Konfliktet, keqkuptimet dhe pengesat e bëjnë të pamundur jetën e tyre të përbashkët. Fundi, dihet.
Jashtë skenës, TKK-ja ka pasur edhe drama të tjera. Në nëntor të vitit 2024 për 100 ditë për shkak të grevës të aktorëve dhe të stafit teknik, qe jofunksional.
Edhe fundin e vitit të kaluar e përmbylli me dramë kur Ministria e Kulturës në ditën e fundit të dhjetorit nxori tri vendime: Komisioni Disiplinor do ta pezullonte Kushtrim Sheremetin nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar, të njëjtën gjë do ta bënte edhe sekretari i përgjithshëm dhe më pas nëpërmjet një tjetër vendimi udhëheqësja teknike do të emërohej ushtruese e detyrës së drejtorit.
Po atë ditë, Sheremeti do të paraqiste dorëheqjen – e paralajmëruar zyrtarisht katër ditë më herët – dhe më pas do të njoftonte kolegët e institucionit për vendimin. Tash sezonin e ri TKK-ja e synon me një projekt madhor si “Romeo e Xhulieta”. Sepse, siç thotë drejtori artistik edhe në detyrën e drejtorit të përgjithshëm, “…është një prej atyre ëndrrave që do të duhej të realizohej”.
