Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti të hënën do të jetë me diell dhe i nxehtë në të gjithë vendin. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 31 deri në 36 gradë Celsius. Sipas IHMK-së, do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja, me shpejtësi prej një deri në pesë metra në sekondë.
Instituti bën të ditur se rajoni ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore, duke sjellë temperatura paksa më të larta, të cilat konsiderohen normale për këtë periudhë të verës.
