Në Prishtinë po vazhdon Panairi i Gruas, një aktivitet që ka mbledhur dhjetëra gra sipërmarrëse nga e gjithë Kosova për të prezantuar produktet dhe bizneset e tyre. Nga punimet artizanale e deri te produktet ushqimore e kozmetika natyrale, panairi synon të promovojë sipërmarrjen e grave dhe të fuqizojë rolin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.
Një kujtim nga Kosova do ta marrë me vete edhe në Gjermani. Julia Timm po e viziton vendin tonë për herë të parë dhe thotë se, përveç qyteteve historike, ajo është impresionuar nga mikpritja që ka gjetur këtu. “Mbi të gjitha më pëlqen që njerëzit janë kaq miqësorë. Më pëlqen edhe fakti që gjithçka që shitet këtu lidhet me Kosovën dhe kulturën e saj.
Do të blejmë disa çanta të vogla si suvenire, ndoshta mund t’i përdor për produktet e mia të grimit” , tha Julia Timm, turiste nga Gjermania. Pas vizitave në Prizren e Gjakovë, Julia ndaloi edhe në Prishtinë. Një pjesë të ditës e kaloi në stendat e vendosura në sheshin “Nëna Terezë”, ku po mbahet Panairi i Gruas.
Aty u njoh nga afër me punimet artizanale, produktet ushqimore dhe krijimet e grave sipërmarrëse. “Absolutisht. Është një mënyrë shumë e mirë për të krijuar një përshtypje nga afër për Kosovën. Na ka pëlqyer shumë natyra, por mbi të gjitha mikpritja e njerëzve”, tha Julia Timm.
Dhjetëra gra nga komuna të ndryshme kanë ekspozuar produktet e tyre, duke e shndërruar panairin në një hapësirë promovimi për bizneset e drejtuara prej tyre. Nga artizanati e deri te kozmetika natyrale dhe produktet tradicionale, ato synojnë të zgjerojnë tregun dhe të prezantojnë punën e tyre para vizitorëve vendas e të huaj.
Megjithëse panairi solli larmi produktesh dhe idesh biznesi, në orët e mesditës numri i vizitorëve ishte më i vogël sesa prisnin ekspozueset. Ato shpresojnë që deri në përfundim të panairit të kenë më shumë interesim nga qytetarët.
Panairi i Gruas, i cili po mbahet në sheshin “Nëna Terezë”, synon të promovojë sipërmarrjen e grave dhe t’u krijojë atyre mundësi të reja për bashkëpunim, shitje dhe zgjerim të bizneseve të tyre.
