Mbi 300 kërkesa për kompensim të të mbjellave në Istog

0%

Nga: Elda Islami Shpërndaje në: Komunat kanë nisur evidentimin e dëmeve që ka lënë pas breshri dhe stuhitë e këtij muaji. Në Istog, mbi 300 qytetarë kanë kërkuar vlerësim të dëmeve, kryesisht për shkak të shkatërrimit të kulturave bujqësore, ndërsa në Suharekë procesi i evidentimit të pasojave pritet të përfundojë javën e ardhshme.

Zyrtarët komunalë kërkuan mbështetje nga institucionet qendrore për kompensimin Zyrtarë të komunave që këtë muaj janë goditur nga breshri dhe stuhia, janë zotuar se brenda javës së ardhshme do të finalizohet vlerësimi i dëmeve që u janë shkaktuar qytetarëve. Me pasoja më të mëdha janë përballur fermerët e Istogut, të cilëve u janë shkatërruar të mbjellat.

Në këtë komunë kanë bërë të ditur se procesi i vlerësimit ka nisur menjëherë. Drejtori i Bujqësisë, Artan Gegaj, ka thënë se ekipet janë duke evidentuar dëmet, konform kërkesave të qytetarëve. “Aktualisht në terren janë pesë komisione që po bëjnë evidentimin e dëmeve, pasi deri më tani në Drejtorinë e Bujqësisë kanë arritur mbi 300 kërkesa nga qytetarët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sa i përket vlerësimit paraprak, nuk kemi dalë me shifra, sepse nuk do të ishte e përgjegjshme të flisnim për dëmin pa përfunduar vlerësimi i plotë në të gjitha zonat e prekura”, ka thënë Gegaj. Gegaj ka treguar se qytetarët mund t’i paraqesin kërkesat për vlerësim dëmesh, deri të martën. Dëme janë shkaktuar edhe në komunën fqinje, Pejë.

Zëdhënësi i kësaj komune, Valmir Deçani, ka deklaruar se procesi i vlerësimit të dëmeve ndodhet në fazën fillestare. “Ende po paraqiten dëmet e shkaktuara, pastaj do të bëhet vlerësimi dhe dosja do t’i dorëzohet ministrisë për kompensim”, ka thënë ai. Zyrtarë komunalë i kanë bërë thirrje qeverisë që t’u dalë në ndihmë fermerëve, në mënyrë që t’i rikuperojnë humbjet.

Të nesërmen pas breshrit, ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka vizituar fermerët në Istog, të cilëve u ka premtuar se do t’u dalë në ndihmë, pa treguar se në çfarë forme ajo do të ofrohet. E, Ministria e Bujqësisë nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me veprimet e marra deri tash. Dëme janë shkaktuar edhe nga stuhia e fortë, që më së rëndi e goditi Suharekën.

Kryetari Bali Muharremaj ka thënë se të nesërmen pas ditës kritike, janë formuar komisionet, të cilat do të bëjnë vlerësimin dhe evidentimin e dëmeve. “Ky proces ende po vazhdon. Dëme ka të konsiderueshme në shkolla, shtëpi, infrastrukturë, zona publike e private. Besojmë që javën e ardhshme do të përfundojë.

Pastaj vazhdohet me procedura sipas ligjeve dhe rregulloreve, derisa t’i dërgohet dosja e plotë komisionit qeveritar dhe AME-së”, ka thënë Muharremaj. Edhe në fillim të vitit shumë komuna janë përballur nga moti i lig. Dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet, janë vlerësuar nga komunat por kompensimi ende nuk është kryer.

Burimi: Koha