Klubi anglez York City ka befasuar opinionin sportiv duke shkarkuar trajnerin Stuart Maynard, vetëm tre muaj pasi ai e riktheu skuadrën në futbollin profesionist anglez, duke i dhënë fund mungesës dhjetëvjeçare. Maynard mori drejtimin e ekipit në gusht të vitit 2025 dhe e udhëhoqi York City drejt titullit kampion në National League me plot 108 pikë.
Megjithatë, drejtuesit e klubit njoftuan se ndarja erdhi për shkak të “ndryshimeve në drejtim dhe vizionin e klubit”. Në komunikatën zyrtare, klubi pranoi se vendimi mund të duket i pazakontë. “Jemi të vetëdijshëm se nga jashtë kjo mund të duket si një vendim i çuditshëm ose i vështirë për t’u kuptuar.
Megjithatë, besojmë se në planin afatgjatë klubi do të jetë në një pozitë më të fortë”, th uhet në deklaratë. Promovimi i York Cityt u sigurua në një përfundim dramatik të sezonit. Në javën e fundit, skuadrës i mjaftonte një barazim ndaj Rochdale. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 95-të dhe tifozët hynë në fushë duke besuar se kishin fituar titullin.
Pas një ndërprerjeje pesëminutëshe, ndeshja rifilloi dhe York City arriti të barazojë në minutën e 103-të me golin e Josh Stones, duke siguruar rezultatin 1:1, titullin kampion dhe rikthimin në League Two.
Pavarësisht këtij suksesi historik dhe sezonit të jashtëzakonshëm me 108 pikë, drejtuesit e klubit vendosën të ndahen nga Stuart Maynard, një vendim që ka ngjallur shumë reagime në futbollin anglez.
