Shpërndaje në: Miliona euro dalin çdo vit nga Kosova për importin e qumështit dhe produkteve të tij. Disa nga produktet janë me çmim më të lirë sesa ato që prodhohen në Kosovë. Prodhuesit thonë se kjo po e vështirëson konkurrencën dhe po rrezikon zhvillimin e industrisë vendore.
Rezana Bozhlani Kosova ka importuar nga vende të rajonit qumësht ose produkte të tij në vlerë rreth 4 milionë euro, brenda gjashtë muajsh. Sipas të dhënave të Doganës, vlera e importeve nga Bosnjë-Hercegovina është 1.5 milion euro, nga Shqipëria mbi 1.4 milion euro, e nga Maqedonia e Veriut rreth 600 mijë euro. Vetëm kos është importuar në vlerë prej 90 mijë eurosh.
Në Shoqatën e Industrisë së Qumështit thanë se importi i lartë nga vendet e rajonit shkakton pasoja për prodhuesit vendorë.
“Pra, ndikimi nuk përfundon te rasti i supermarketit, ai transmetohet në të gjithë zinxhirin, pra fabrikat prodhojnë më pak, kapacitetet mbeten të pashfrytëzuara, rritet kostoja për një ndjesi të prodhimit, zvogëlohet prodhimi i qumështit të freskët, shtyhen investimet e reja dhe rrezikohen vendet e punës”, tha Alajdin Fusha, zëdhënës i Shoqatës së Industrisë së Qumështit.
Disa prej produkteve, përfshirë kosin nga Maqedonia e Veriut, shiten në treg më lirë sesa produktet vendore. Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, thotë se kjo ndikon negativisht në konkurrencën e tregut.
“Fakti që ka kaq pak prodhues, kjo është një dëshmi që prodhuesit po ballafaqohen me sfida, njëra nga to është edhe konkurrenca jo e drejtë në Republikën e Kosovës, sepse po hyjnë produkte të cilat janë me kosto më të lirë, sidomos shumë produkte të cilat Kosova ka mundësi edhe strategji për t’i prodhuar, pra po vihet deri te një prishje e tregut në Republikën e Kosovës”, tha Beqiri.
Por, në Doganën e Kosovës thanë se produktet që importohen u nënshtrohen kontrolleve që lidhen me çmimin. “Në kuadër të rregullave ndërkombëtare të përcaktuara nga Organizata Botërore e Tregtisë lidhur me vlerësimin e mallit dhe legjislacionin kombëtar, në raste ku kemi dyshime të arsyeshme lidhur me vlerën e deklaruar, Dogana kërkon dokumentacion shtesë dhe kryen verifikime sipas procedurave të përcaktuara me ligj”, tha Dogana e Kosovës.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka kthyer përgjigje përkitazi me kontrollet që realizohen në qumësht dhe produkte të tij, të cilat importohen. Kjo agjenci së fundmi ka rritur inspektimin te përpunuesit vendorë të qumështit dhe ka ngritur alarmin për përdorimin e vajit të palmës dhe të qumështit pluhur.
