Rame Lahaj International Opera Festival vazhdon sonte programin artistik me “Opera Night”, një mbrëmje e veçantë që do të mbledhë adhuruesit e muzikës klasike në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.
Nga ora , publiku do të ketë mundësinë të ndjekë performancën e sopranos kosovare Elbenita Kajtazi dhe tenorit venezuelian Jorge Puerta, i cili i është bashkuar festivalit pas anulimit të pjesëmarrjes së tenorit Charles Castronovo për arsye shëndetësore, shkruan KultPlus.
I njohur për interpretimet e tij në role kryesore të repertorit operistik në teatro prestigjioze të Evropës dhe Amerikës Latine, Jorge Puerta do të performojë për herë të parë në skenën e Rame Lahaj International Opera Festival.
Dy artistët do të shoqërohen në piano nga Jess Rucinski, ndërsa programi i mbrëmjes përfshin arie dhe duete nga disa prej kryeveprave më të njohura të operës botërore.
“Opera Night” është një nga ngjarjet e rëndësishme të edicionit të sivjetmë të festivalit, i cili vazhdon të sjellë në Kosovë emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe të promovojë artistët vendorë para publikut vendas dhe ndërkombëtar. Koncerti do të mbahet sonte në ambientin e jashtëm të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe hyrja për publikun është falas.
Edicioni i sivjetmë i Rame Lahaj International Opera Festival zhvillohet nën moton “Play Music, Not War”, ndërsa do të kulmojë më 29 korrik me mbrëmjen gala “Rame Lahaj & Friends”.
