Çfarë fshihet pas deklaratës së Vuçiqit? Ish-ushtaraku zbërthen

0%

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e Kosovës përmes deklaratave të tij të fundit, duke përsëritur qëndrimin e Beogradit se Kosova është pjesë e Serbisë.

Gjatë paraqitjes së tij publike, ai u shpreh se “ Kosova është e jona dhe do të mbetet e jona”, ndërsa paralajmëroi se Serbia do të vazhdojë të investojë në forcimin dhe modernizimin e ushtrisë.

Deklaratat e Vuçiqit vijnë në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara, ndërsa dialogu për normalizimin e raporteve vazhdon të përballet me sfida dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme. Këto zhvillime kanë ngjallur reagime dhe kanë rikthyer në fokus debatin mbi sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur ish-ushtaraku Hafir Hoxha. Hafir Hoxha Hoxha vlerëson se deklaratat e Vuçiqit synojnë kryesisht të forcojnë pozicionin e tij politik brenda Serbisë, duke qetësuar opinionin e brendshëm, ndërsa njëkohësisht përpiqen të shmangin perceptimin se Serbia paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Kjo deklaratë duket se i shërben kryesisht konsumit të brendshëm politik. Ajo vjen në një kohë kur udhëheqja serbe përballet me kritika dhe presion nga një pjesë e opinionit publik, i cili e akuzon se “e ka dorëzuar” ose “e ka shitur” Kosovën. Për këtë arsye, herë pas here përdoren deklarata me tone më të ashpra për të qetësuar opinionin e brendshëm.

Megjithatë, menjëherë pas tyre zakonisht përcillet edhe një mesazh tjetër: se Serbia nuk do të sulmojë askënd, nuk do të ndjekë apo kërcënojë askënd, do ta respektojë paqen dhe sigurinë në rajon dhe se askush nuk duhet të ndihet i rrezikuar” , u shpreh ai.

Tutje, ish-ushtaraku shtoi se deklaratat e Vuçiqit synojnë njëkohësisht opinionin e brendshëm dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa Kosova duhet të mbështetet në vlerësime profesionale të sigurisë dhe të jetë e përgatitur për çdo skenar, pavarësisht retorikës politike.

“K ëto deklarata mund të interpretohen si mesazhe me dy drejtime: nga njëra anë synojnë t’u flasin qarqeve nacionaliste brenda Serbisë, ndërsa nga ana tjetër u sinjalizojnë partnerëve ndërkombëtarë se Serbia dëshiron të paraqitet si faktor stabiliteti dhe se nuk synon të veprojë në kundërshtim me rendin rajonal.

Pavarësisht retorikës politike, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të punojnë mbi bazën e vlerësimeve profesionale të sigurisë dhe të jenë të përgatitura për çdo skenar të mundshëm. Planifikimi për variantin më të pafavorshëm është parim i zakonshëm i menaxhimit të sigurisë dhe nuk duhet të varet vetëm nga deklaratat publike të politikanëve ”, përfundoi Hoxha për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot