Një takim është duke u mbajtur në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot më , një ditë pas dorëzimit të nënshkrimeve për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë. Shkëmb Manaj nga kjo parti ka thënë se ky takim është i brendshëm. “Tash është çështje e vendimit, deri sa të verifikohen (nënshkrimet)”- ka thënë Manaj për çështjen e thirrjes së Kuvendit.
I pyetur nëse ekziston urgjencë për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, për shkak të situatës politike në vend dhe zhvillimeve brenda partisë, Manaj u përgjigj shkurt: “Po”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, më ka deklaruar përmes një video-mesazhi se ka ndërprerë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Kosovës pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kreut të kësaj partie.
Gjatë këtij adresimi, Abdixhiku ka bërë të ditur se në selinë e LDK-së janë deponuar 148 nënshkrime të delegatëve të LDK-së për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të partisë. Sipas tij, pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve pa asnjë vonesë do të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.
Ai ka theksuar se në këto rrethana nuk mund të angazhohet në negociatat për formimin e institucioneve të vendit. “Në këtë pikë më duhet t’i njoftoj qytetarët e vendit tim se për shkak të kësaj nisme detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës, që i prisnin me të drejtë tash e sa kohë.
Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme nuk do të ishte as serioze, as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim nga brenda shtëpisë sime” – ka theksuar Abdixhiku.
Ai ka thënë se nuk beson se bisedimet (për formimin e institucioneve) të kenë qenë arsye, siç ka thënë ai, e ngutisë për Kuvend të paprecedent të LDK-së. “Por, tani që ai thirret, i mbivendoset çdo angazhimi tjetër. Fatkeqësisht qytetarët e Kosovës do të pësojnë më së shumti në këtë drejtim, LDK bashkë me ta”- tha ai.
Abdixhiku theksoi se respektimi i procedurës së nisur nuk nënkupton heshtje për rrethanat në të cilat po zhvillohet kjo nismë dhe se nisma për shkarkimin e tij vjen në një moment kritik si për LDK-në, ashtu edhe për vendin.
Sipas tij, kjo nismë vjen gjatë bisedimeve për formimin e institucioneve, kur nuk do të duhej të kishte asnjë brengë e as apetite përveç bërjes së institucioneve të shtetit. “Kjo nismë vjen vetëm pak muaj pas mbajtjes së Kuvendit (të LDK-së) të 31 janarit dhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit ku LDK megjithatë shënoi rritje”- tha ai.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj kishte bërë të ditur se kanë dorëzuar në zyrën e partisë nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. “Po, mund të konfirmoj se nënshkrimet janë dorëzuar te Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në pajtim me dispozitat e Statutit të LDK-së” – tha Zemaj për Kallxo.com .
Sipas Statutit të LDK-së , Kuvendi thirret edhe atëherë kur këtë e kërkon 1/3 (një e treta) e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin. Kuvendi i thirrur sipas paragrafit paraprak mbahet në afatin prej 60 ditësh nga dita kur është shtruar kërkesa me shkrim.
Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, një ditë më parë tha se në rast se do të ketë kërkesa brenda organeve të partisë, sipas tij, ato do të trajtohen sipas procedurave statutare.
“Kur ka kërkesa brenda për brenda organeve të LDK-së, sigurisht që me urgjencë e me seriozitet të madh kanë me u trajtuar prej neve si parti dhe kanë me u shqyrtuar deri në realizimin përfundimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve”- deklaronte Ferati më .
Ferati tha se Abdixhiku nuk i është shmangur asnjëherë proceseve të brendshme demokratike në parti, duke përmendur tri kuvende të LDK-së ku ai është zgjedhur me votim të fshehtë.
“Kryetari Abdixhiku nuk është hera e parë sigurisht e s’do të jetë as e fundit, i ka tri kuvende që i ka kaluar me votë të fshehtë dhe absolutisht aspak nuk është që i ikën procedurave statutare të LDK-së”- deklaroi Ferati. Disa degë të LDK-së, por edhe deputetë të zgjedhur kanë kërkuar dorëheqjen e të parit të partisë, Lumir Abdixhiku, pas rezultatit në zgjedhje.
Pas kërkesave për dorëheqje, Abdixhiku ka reaguar më në rrjete sociale. Me fjalinë “Si nuk u ngopët kurrë”, kishte nisur kundërpërgjigjen ndaj dy bashkëpartiakëve të tij (Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit) që udhëheqin me degët e LDK-së në Pejë e Lipjan, e të cilët janë të parët që i kërkuan dorëheqjen. Ai kishte kërkuar që këto kërkesa të i ishin bërë në sy.
Madje, i pari i LDK-së ka thënë se ndonëse vet e ka trajtuar dorëheqjen më 31 janar, do të pranonte menjëherë dorëheqjet e Muhaxherit dhe Ahmetit si dorëheqje morale pas perfomancës së dobët të këtyre degëve në zgjedhjet qëndrore.
Pas kërkesave të degëve të LDK-së në Lipjan, Pejë dhe Degës së Dytë në Prishtinë për dorëheqjen e Abdixhikut, si pasojë e pakënaqësive me rezultatin zgjedhor, ka reaguar sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Ilir Ferati.
Sipas tij, kryetarët e lartcekur, në vend të një analize të ndershme mbi përgjegjësitë që i takojnë secilit nivel, po përpiqen ta zhvendosin të gjithë barrën e rezultatit vetëm te niveli qendror. Dorëheqjen e Abdixhikut e kanë kërkuar edhe dega e Rahovecit dhe ajo e Austrisë.
Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja e vetme sipas deputetes së zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Këto fjalë i ka shkruar Bajrami më pasi që dorëheqja iu kërkua kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku nga dega e Pejës, Lipjanit dhe degës së dytë të Prishtinës, pas rezultatit zgjedhor të kësaj partie.
Bajrami ka kërkuar sjellje me dinjitet, duke shtuar se pozitat nuk janë të përhershme. Në janarin e këtij viti u mbajt votëbesimi ndaj kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku pasi që ai vet e kërkoi këtë pas rezultatit zgjedhor të dhjetorit 2025.
E Bajrami ka shkruar se edhe në janar ka thënë se përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor duhet reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.
