Mario Mitaj po përjeton një nisje të pazakontë te Genoa, vetëm pak javë pasi iu bashkua klubit italian. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk është aktivizuar ende në kampionat, duke e parë nga stoli edhe ndeshjen e dytë radhazi. Mitaj ishte në stol në sfidën e parë të sezonit ndaj Napolit, të cilën Genoa e humbi 0-2, por nuk u aktivizua në asnjë moment.
E njëjta situatë u përsërit edhe këtë mbrëmje ndaj Lazios, ku mbrojtësi kuqezi sërish mbeti mes zëvendësuesve dhe nuk mori asnjë minutë. Genoa pësoi një tjetër humbje, këtë herë me rezultatin minimal 1-0 në transfertë ndaj Lazios, duke e nisur kampionatin me dy disfata.
Situata është disi befasuese për Mitajn, pasi Genoa e afroi gjatë merkatos së kësaj vere, me mbrojtësin shqiptar që shihej si një alternativë për krahun e majtë. Në ndeshjen ndaj Lazios, emri i Mitajt ishte në listën e zëvendësuesve, por trajneri Daniele De Rossi nuk vendosi ta hedhë në fushë, edhe pse nuk i kurseu elozhet për të kur e transferoi.
