Në një kohë kur ilaçet për humbje peshe, filtrat, “Instagram face” dhe trupat e perfeksionuar me aplikacione janë kudo, të ndihesh mirë me pamjen tënde mund të jetë më e vështirë se kurrë. Por, çfarë nëse nuk duhet domosdoshmërisht të ndryshoni trupin tuaj, por mënyrën se si mendoni për të?
Psikologia Diana Hill, e specializuar në terapinë e pranimit dhe angazhimit, flet për konceptin e “fleksibilitetit të imazhit trupor”. Qëllimi nuk është që ta doni trupin tuaj çdo sekondë dhe as të mos keni kurrë mendime negative për pamjen. Më e rëndësishme është mënyra se si reagoni kur këto mendime shfaqen.
Në vend që të kaloni orë të tëra duke analizuar çdo detaj në pasqyrë, Hill sugjeron disa ushtrime mendore që mund t’ju ndihmojnë të mos lejoni që pamja juaj të marrë më shumë energji sesa meriton. 1. Zhvendoseni vëmendjen nga pamja tek ajo që ndodh brenda jush Kur shikoheni në pasqyrë dhe gjithçka që vini re është hunda, barku, aknet apo rrudhat, provoni të zhvendosni vëmendjen.
Në vend që të përqendroheni te ajo që shihni, mendoni për atë që po ndodh brenda trupit tuaj. A ndiheni të uritur apo të ngopur? Barku është i tendosur apo i qetë? Jeni nervozë, të emocionuar apo të relaksuar?
Ky proces njihet si ndërgjegjësim interoceptiv dhe ju ndihmon të lidheni me sinjalet që trupi juaj po ju jep, në vend që ta shihni atë vetëm si një objekt që duhet vlerësuar nga jashtë. 2. Vlerësoni atë që trupi juaj mund të bëjë Një mënyrë tjetër për të ndryshuar perspektivën është të përqendroheni te funksionaliteti i trupit, jo vetëm te pamja e tij.
Mendoni për atë që po bën trupi juaj në këtë moment. Sytë tuaj mund të shohin, veshët mund të dëgjojnë, mushkëritë marrin frymë dhe këmbët ju çojnë nga një vend në tjetrin. Ndonjëherë harrojmë se trupi nuk është vetëm diçka që duhet të duket bukur. Ai është mënyra përmes së cilës përjetojmë botën. 3. Pyeteni veten: Pse po përpiqem ta ndryshoj këtë pjesë të trupit?
Nëse, për shembull, e mbani vazhdimisht barkun të mbledhur për ta bërë të duket më i vogël, ndaloni për një moment dhe vëreni këtë sjellje. A e bëni më shumë në disa situata dhe më pak në të tjera? A ndiheni më të lirë kur jeni vetëm? Dhe, më e rëndësishmja, a vjen pakënaqësia juaj nga mënyra se si ndiheni vërtet apo nga mesazhet që keni marrë vazhdimisht nga shoqëria dhe kultura?
Pyeteni gjithashtu veten se sa ndikon kjo në jetën tuaj të përditshme. A ndiheni më pak rehat me rrobat? A shpërqendroheni gjatë gjithë kohës? A shmangni situata të caktuara vetëm për shkak të mënyrës se si mendoni se dukeni? 4. Bëni një “audit” të energjisë suaj Sa kohë dhe energji shpenzoni duke menduar për trupin dhe pamjen tuaj?
Mund të jetë koha që kaloni duke kontrolluar veten në pasqyrë, duke postuar selfie, duke kërkuar produkte bukurie apo duke analizuar çdo ndryshim në fytyrë dhe trup. Pastaj pyesni veten: Çfarë më jep energji dhe më bën të ndihem mirë në trupin tim?
Ndoshta është një shëtitje në natyrë, një aktivitet fizik që ju pëlqen, koha me kafshën tuaj shtëpiake apo thjesht një moment kur nuk po mendoni fare për mënyrën se si dukeni. Çdo pjesë e energjisë që shpenzoni duke u shqetësuar për pamjen është energji që mund t’ju mungojë për krijimtarinë, marrëdhëniet, talentet dhe gjërat që kanë vërtet rëndësi për ju.
Në fund, nuk keni pse ta doni çdo pjesë të trupit tuaj çdo ditë. Por ndoshta mund të mësoni të mos lejoni që një mendim negativ për pamjen t’ju pengojë të jetoni jetën tuaj.
