Kurti: Drejtësia për vëllezërit Bytyqi duhet të vihet deri në fund

0%

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në 27-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, tha se drejtësia për ta mbetet obligim i Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare.

Në tubimin përkujtimor të mbajtur në ballkonin e Kryeministrisë, Kurti vlerësoi sakrificën e tre vëllezërve, të cilët iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë nga forcat serbe pas përfundimit të luftës.

Ai theksoi se Serbia vazhdon të mos mbajë përgjegjësi për këtë krim dhe riafirmoi se Kosova do të vazhdojë të kërkojë zbardhjen e plotë të rastit dhe ndëshkimin e urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kurti falënderoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme në kërkimin e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi, duke theksuar se kujtimi i tyre është pjesë e kujtesës shtetërore dhe kombëtare të Kosovës. Shkrimi i plotë: Në përvjetorin e 27-të të vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi mbajtëm tubim përkujtimor në ballkonin e Kryeministrisë.

Fjala ime e plotë: E nderuara familje Bytyqi, Të nderuar deputetë, ministra, zëvendësministra, përfaqësues të institucioneve vendore, Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të UÇK-së, Të nderuar të pranishëm, Zonja dhe zotërinj, Jemi mbledhur në ballkonin e Kryeministrisë, për të kujtuar tre vëllezër, tre bij të Kosovës, tre qytetarë amerikanë, tre luftëtarë të lirisë: Yllin, Agronin dhe Mehmetin.

Sa herë shqiptohen, emrat e vëllezërve Bytyqi, na kujtojnë drejtimin ndaj së vërtetës dhe drejtësisë, por gjithashtu edhe detyrimin për këto të dyja, sepse i tillë është obligimi e përgjegjësia jonë në kohën që jetojmë, por edhe ndaj brezave që vijnë pas nesh. Historia e tyre është histori e atdhedashurisë.

Të lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata zgjodhën të vinin nga Nju Jorku në Kosovë, në njërën prej periudhave më të rënda të historisë sonë të re. Iu bashkuan njësitit të vullnetarëve “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vunë në shërbim të lirisë së popullit që po përballej me dhunë, vrasje, masakra, zhdukje kufomash dhe krime tjera të rënda kundër njerëzimit.

Historia e tyre dëshmon edhe për një dimension thellësisht njerëzor. Vetëm pak ditë pas çlirimit të Kosovës, më , Ylli, Agroni dhe Mehmeti po ndihmonin një familje rome të udhëtonte nga Prizreni drejt kufirit me Serbinë. Në një periudhë kur plagët e luftës ishin të hapura, kur frika dhe pasiguria ishin kudo, ata zgjodhën që të ndihmonin njerëzit të cilët kishin nevojë.

Ky fakt duhet thënë, duhet kujtuar dhe duhet përsëritur, sepse na tregon se kush ishin vëllezërit Bytyqi. Ishin luftëtarë të lirisë, ishin luftëtarë për drejtësi, që e kuptonin lirinë si përgjegjësi për tjetrin, që e kuptonin se drejtësia nënkupton tjetrin dhe ishin luftëtarë për dinjitetin njerëzor e të pandashëm nga njëri–tjetri e nga të tjerët.

E kuptonin se pas luftës që po bënin, paqja ndërtohet me njerëzi. Gjatë atij udhëtimi, ata u arrestuan nga policia serbe. Pas një dënimi prej 15 ditësh burg, në vend që të liroheshin, ata u vranë nga aparati shtetëror gjenocidal serb.

Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në varrezën masive në Petrovo Sello, në Serbi, bashkë me trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Vëllezërit Bytyqi janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë e mungesës së plotë të vullnetit të Serbisë për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera.

Kalimi i kohës nuk e shuan detyrimin për drejtësi. Përkundrazi, çdo vit që kalon e bën edhe më të rëndë barrën e pandëshkueshmërisë. Thirrjet tona bashkë me ato të shtetit amerikan, kanë qenë pareshtur të zëshme në kërkim të vendosjes së drejtësisë dhe zbardhjes së krimit.

Republika e Kosovës beson se paqja e qëndrueshme dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe popujve të rajonit mund të ndërtohen vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë. Të nderuar të pranishëm, Kur kujtojmë Yllin, Agronin dhe Mehmetin, ne kujtojmë çmimin e lartë të lirisë që gëzojmë.

Por njëkohësisht i kujtojmë vetes se liria duhet të ndërtohet çdo ditë: në institucione demokratike, me sundim të ligjit, me barazi para ligjit, me ushtri të fortë, me respekt për çdo qytetar dhe me mbrojtje të dinjitetit të çdo njeriut që lulëzon dhe ka mundësi për ta rritur mirëqenien e tij e të familjes së tij.

Kjo është mënyra më e denjë për t’i nderuar ata dhe për t’i jetësuar idealet e dëshmorëve. Vëllezërit Bytyqi e lidhnin në mënyrë të veçantë Republikën e Kosovës, kombin shqiptar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata ishin shqiptarë dhe amerikanë. Bij të Kosovës dhe qytetarë të Amerikës.

Në jetën dhe sakrificën e tyre bashkoheshin dy vende të lidhura me miqësi historike dhe me përkushtimin ndaj lirisë. Republika e Kosovës i është mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës për angazhimin e vazhdueshëm në kërkim të drejtësisë për vëllezërit Bytyqi.

Në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave, ShBA-të i kanë kërkuar veprime konkrete Serbisë dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e këtij krimi.

Ky angazhim është i rëndësishëm për familjen e tyre, por edhe për parimin themelor se krimet e rënda nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi. Andaj, sonte, si përherë, shprehim respektin tonë më të thellë për familjen Bytyqi. Për qëndresën, dinjitetin dhe këmbënguljen në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë.

Për Republikën e Kosovës, kujtimi i Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit është pjesë e kujtesës sonë shtetërore dhe kombëtare. Prandaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në këto ditë kur shënojmë 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në raportin tonë të veçantë miqësor, si aleatë e partnerë, në të njëjtën kohë riafirmojmë edhe zotimin tonë se do të vazhdojmë të kërkojmë të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë, e cila do t’i ndëshkojë edhe urdhërdhënësit e poashtu edhe ekzekutorët e këtij krimi mizor.

Ashtu siç e ruajmë nderimin me lavdi për luftëtarët e lirisë Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqin, do të vazhdojmë të angazhohemi për të arritur drejtësi për ta, deri në fund. Përveçse duhet të përparojë kombi ynë e Republika jonë, edhe duhet të vihet deri në fund drejtësia për ta. Lavdi vëllezërve Bytyqi dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!

Ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen!

Burimi: Bota Sot