Malisheva është mposhtur me rezultat 2-1 nga Vllaznia e Shkodrës në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues për Ligën e Konferencës, në një përballje tërësisht shqiptare që dhuroi emocione dhe rivalitet deri në fund. Skuadra kosovare e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e katërt.
Pas një goditjeje nga këndi, Laurent Xhylani u gjend në vendin e duhur dhe realizoi për 1-0, duke i dhënë Malishevës një fillim ëndrrash. Pas golit të hershëm, Vllaznia mori iniciativën dhe krijoi më shumë raste, ndërsa Malisheva u mbrojt mirë dhe tentoi të godiste në kundërsulm.
Përpjekjet e vendasve u shpërblyen në minutën e 37-të, kur Klinti Qato, pas asistimit të Toma, barazoi shifrat në 1-1, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë. Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në minutën e 55-të, kur mbrojtësi i Malishevës, Andreas Skovgaard, u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Kubazit, duke e lënë skuadrën kosovare me dhjetë futbollistë.
Vetëm një minutë më vonë, Vllaznia përfitoi nga epërsia numerike. Emiljano Musta realizoi një supergol nga goditja e dënimit, duke përmbysur rezultatin në 2-1. Edhe pse me një lojtar më pak, Malisheva nuk u dorëzua. Skuadra e Bekim Isufit ushtroi presion në minutat e fundit, krijoi disa raste të mira përmes Uka, Veliut dhe Shanit, por nuk arriti të gjejë golin e barazimit.
Në fund, Vllaznia ruajti epërsinë minimale dhe fitoi aktin e parë të këtij dueli shqiptar./ Telegrafi
