Tre aeroporte të mëdha në Mbretërinë e Bashkuar janë goditur nga një incident kibernetik, gjatë të cilit janë aksesuar të dhënat e rreth 8.7 milionë klientëve, ka bërë të ditur Manchester Airports Group (MAG). Kompania, e cila operon aeroportin e Manchesterit, London Stansted dhe East Midlands, deklaroi se siguria e pasagjerëve dhe ajo e aviacionit nuk janë cenuar.
Po ashtu, as MAG dhe as sistemi i prekur nga sulmi nuk ruanin të dhëna bankare apo të pagesave të klientëve. Sipas kompanisë, pjesa më e madhe e të dhënave të aksesuar përbëhej nga adresat e emailit, kryesisht të lidhura me regjistrimet për përdorimin e Wi-Fi-t brenda terminaleve. Në sulm janë aksesuar gjithashtu numra telefoni, targa automjetesh dhe kode postare.
Hakerët kërkuan një shpërblim financiar përmes një sulmi ransomware, por MAG tha se nuk e ka paguar shumën e kërkuar, e cila nuk është bërë publike. Një zëdhënës i kompanisë deklaroi se rreziku është kufizuar dhe se janë marrë masat e nevojshme në bashkëpunim me këshilltarë specialistë të sigurisë kibernetike.
Sipas tij, incidenti nuk ka shkaktuar ndërprerje të operacioneve dhe aeroportet vijojnë të funksionojnë normalisht, përfshirë shërbimet e parkimit.
Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se edhe pse të dhëna si adresat e emailit, numrat e telefonit, kodet postare dhe targat mund të duken më pak të ndjeshme se informacioni financiar, grumbullimi i tyre në një shkallë kaq të madhe mund të jetë i vlefshëm për kriminelët kibernetikë.
