Celtic dhe Rangers janë dënuar që ndeshjet e tyre të ardhshme si vendas në Kupën e Skocisë t’i zhvillojnë pa praninë e tifozëve, pas incidenteve të shkaktuara nga tifozët gjatë përballjes së tyre në çerekfinalen e edicionit të kaluar.
Përveç zhvillimit të ndeshjes me stadium të mbyllur, të dy klubet janë urdhëruar që t’i paguajnë nga 100 mijë funte ekipit kundër të cilit do të përballen në atë ndeshje. Dënimi mund të bëhet edhe më i rëndë në rast të incidenteve të tjera.
Nëse tifozët e secilit klub përfshihen sërish në sjellje të papranueshme gjatë një ndeshjeje të Kupës së Skocisë, Celtic ose Rangers mund të detyrohen të zhvillojnë edhe një tjetër ndeshje si vendas pa tifozë. Incidentet ndodhën në mars, pasi Celtic kishte eliminuar Rangersin pas ekzekutimit të penalltive në stadiumin “Ibrox”, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.
Pas përfundimit të ndeshjes, tifozë të të dyja skuadrave hynë në fushë. Raportohet se pati hedhje të mjeteve piroteknike dhe objekteve të tjera, ndërsa disa pjesëtarë të policisë mbetën të lënduar. Gjithashtu, u kryen edhe disa arrestime.
Të dy klubet u paraqitën para një paneli të pavarur gjyqësor, pasi u akuzuan për shkelje të rregullores disiplinore të Federatës Skoceze të Futbollit, e cila lidhet me sjelljen e papranueshme gjatë ndeshjeve. Celtic ka reaguar duke e cilësuar dënimin si joproporcional.
“Jemi të tronditur nga ky dënim joproporcional për një hyrje relativisht të vogël të tifozëve të Celtic në fushë, në një moment emocionesh dhe festimi. Klubi ynë nuk e ka mbrojtur kurrë hyrjen e tifozëve në fushë dhe kemi ndërmarrë vazhdimisht masa kur kjo ka ndodhur”, thuhet në reagimin e klubit.
Celtic ka theksuar gjithashtu se në atë ndeshje nuk ishte klubi vendas dhe, sipas tyre, nuk kishte përgjegjësinë kryesore për masat e sigurisë në stadium. Klubi skocez ka bërë të ditur se do ta analizojë raportin dhe arsyetimin e panelit, para se të vendosë për hapat e mëtejmë. Ndërkohë, Rangers ende nuk ka reaguar publikisht për dënimin.
Sanksionet pritet të hyjnë në fuqi në janar, kur Celtic dhe Rangers të nisin garat në edicionin e ri të Kupës së Skocisë.
