Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të lëvizë përpara me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Kërkesa u bë gjatë takimit lamtumirës me ushtruesen e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova.
Kurti theksoi se Kosova pret që aplikimi për anëtarësim të ecë përpara dhe që vendit t’i jepet statusi i kandidatit , duke kërkuar që procesi të bazohet në merita. Gjatë takimit, kryeministri në detyrë vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe falënderoi Palatovën për kontributin e saj.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, ndërsa ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat. Në fund të takimit, Kurti i uroi Palatovës suksese në angazhimet e ardhshme profesionale.
