​“Një mjeke, një grua që ka luftuar…” Agim Bahtiri e kritikon Time

0%

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, e ka kritikuar deputeten e Aleancës, Time Kadrijaj, për sulmin me vezë ndaj liderit të tij partiak, Albin Kurtit. Ai në një prononcim për KosovaPress, tha se ky veprim nuk i ka hije dikujt që ka luftuar për lirinë e vendit. “Dëgjo, është për të ardhur keq. Një mjeke, një grua që ka luftuar të vijë në këtë gjendje, se s’po mund me e kuptuar.

Por ne kemi qenë çdo herë ata të cilët i kuptojmë të gjitha. Pjesa e dhunës është me të vërtetë absurde, e sidomos prej atyre njerëzve të cilët thonë që kanë bërë shumë për vendin,” u shpreh Bahtiri, I pyetur se Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën ka ndërmarrë veprime të ngjashme në Kuvend dhe nëse edhe ato kanë qenë pjesë e dhunës, Bahtiri tha se veprimet e atëhershme, sipas tij, kanë pasur një kauzë tjetër.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur një veprim për arsye se ka pasur kauzën. Nuk është kauzë, nuk është kauzë sjellja e koleges sime para disa ditësh, se s’ka një kauzë të tillë që është keq për shtetin e Republikës së Kosovës. Në atë kohë ka qenë një kauzë jashtëzakonisht e madhe, sepse ka pasur ndarje të Kosovës. Dhe për ndarjen e Kosovës nuk këqyren mjetet për të mbrojtur atë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

E tani nuk kemi kauzë. Ne kemi kauzë për t’i bërë të gjithë deputetët të përbashkët, të dalim zot vendit cep më cep.”, u shpreh Bahtiri,. Bahtiri tha se çdo veprim i dhunshëm është i gabuar, por që duhet të merret parasysh arsyeja për të cilën është ndërmarrë një veprim i tillë.

“Veprimi është çdo herë i keq, ai që sillet në mënyrë të dhunshme, por duke e pasur për bazë arsyen pse, është diçka tjetër. Për shembull, nuk mundet me u marrë krahasim dita e sotit me ditët e atëhershme, kur 17 për qind e territorit ishte në shitje. Dhe duhet njeriu me menduar se si ka qenë situata atëherë e si është sot.

Ne sot e kemi shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, jemi duke e mbajtur dhe duke e shtuar praninë e organeve shtetërore cep më cep të vendit. Dhe kjo çka thashë është kauzë për t’i rrënuar ato dhe për të prurë Radoiçiqin përsëri në Kosovë. Atëherë le të tregojnë se po duan me na e prurë Radoiçiqin në Kosovë e ne po shkaktojmë probleme të tilla.

Kështu që është një krahasim jo i barabartë”, u shpreh Bahtiri.

Burimi: Bota Sot