Sulmuesi shqiptar Din Sula është zyrtarisht futbollisti më i ri i Konkordia Chiajna, klub që garon në Ligën e Dytë të Rumanisë. I lindur dhe i formuar futbollistikisht në Belgjikë, Sula e nisi karrierën në akademinë e OH Leuven, ndërsa më pas ka veshur fanellat e shumë skuadrave të tjera në Belgjikë e Holandë.
Në nivel përfaqësuesesh, Din Sula ka qenë pjesë e Shqipërisë U21, ku zhvilloi 3 ndeshje dhe shënoi 1 gol gjatë vitit 2018. Më herët, ai ka përfaqësuar edhe grupmoshat zinxhir të Belgjikës. “Mirë se erdhe, Din Sula! Sulmuesi shqiptar Din Sula është lojtari më i ri i Konkordia Chiajna. Në moshën 28- vjeçare, ai sjell me vete eksperiencë nga kampionatet e Belgjikës, Polonisë dhe Holandës.
I urojmë mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën e Konkordia Chiajna”, shkruan klubi rumun. Sula shihej gjithmonë si një nga talentët më premtues, sidomos për faktin që luante në Superligën belge që i ri, megjithatë nuk arriti që të bënte hapin e madh për të provuar një klub më të madh në Europë, duke firmosur në këtë mënyrë në Rumani.
