Kërçeli godet opozitën: Po bllokon shtetin me shpresën se do ta

0%

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka akuzuar partitë opozitare se po e pengojnë funksionalizimin e institucioneve të Kosovës, me shpresën se kriza e vazhdueshme politike do ta lodhë qytetarin dhe do ta dobësojë mbështetjen për LVV-në.

Në emisionin “Debat Plus”, Kërçeli deklaroi se opozita, sipas tij, që nga muaji shkurt është “barrikaduar” për të mos lejuar formimin dhe funksionimin e institucioneve të reja. Ai tha se strategjia e opozitës duket se është zvarritja e proceseve politike dhe përsëritja e zgjedhjeve, duke llogaritur se qytetarët do të lodhen dhe se përkrahja për Vetëvendosjen do të bjerë.

“Opozita që nga shkurti është barrikaduar që të mos ketë institucione. Ideja e opozitës, siç duket, është që sa më shumë zgjedhje të ketë, aq më shumë të lodhet qytetari dhe ndoshta të bjerë LVV-ja. Kjo është gabim”, deklaroi Kërçeli. Sipas tij, partitë opozitare po gabojnë nëse besojnë se bllokimi i institucioneve do ta dobësojë Lëvizjen Vetëvendosje.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Opozita po mendon se duke i bllokuar institucionet e Kosovës mund të bjerë LVV-ja. Kjo është gabim. Opozita e ka obligim, bashkë me ne, të marrë pjesë në institucione, qoftë edhe duke votuar kundër”, tha ai.

Kërçeli foli edhe për raportet ndërmjet LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se mes dy partive kishin nisur disa bisedime, por se LDK-ja më pas hyri në procesin e saj të brendshëm zgjedhor.

Ai e interpretoi rizgjedhjen e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së si një sinjal se delegatët e kësaj partie mund të jenë të hapur për diskutime rreth një bashkëpunimi të mundshëm me Vetëvendosjen. “Me LDK-në filluan disa bisedime, por ata shkuan në një proces të brendshëm zgjedhor.

Unë konsideroj se delegatët e LDK-së e votuan zotin Abdixhiku edhe për të diskutuar mundësinë e një koalicioni me LVV-në”, u shpreh Kërçeli. Sipas tij, para Kuvendit të LDK-së ishin krijuar dy qëndrime brenda partisë: njëri kundër çdo bashkëpunimi me Vetëvendosjen dhe tjetri në favor të hapjes së diskutimeve.

“Para Kuvendit të LDK-së u krijuan dy pole: njëri që ishte kundër dhe tjetri që dëshironte të diskutonte me LVV-në. Konsideroj se fitorja e Abdixhikut në Kuvendin e LDK-së është një konfirmim nga delegatët se ai mund të diskutojë për një koalicion me LVV-në”, përfundoi deputeti i Vetëvendosjes.

Burimi: Bota Sot