Një 54-vjeçar është ndaluar për 48 orë në Mitrovicën e Veriut, pasi dyshohet se ka dhënë deklarim të rremë nën betim gjatë dëshmisë së tij në një rast që po hetohet nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës. Sinjali mëson se i dyshuari është Dragan Vučinić , rreth 54 vjeçar.
Sipas burimeve, më 4 gusht, ai është intervistuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Mitrovicën e Veriut, me autorizim të Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në cilësinë e dëshmitarit për një rast që po zhvillohet nga kjo njësi. Gjatë marrjes në pyetje, hetuesit kanë krijuar dyshimin se Vučinić ka deklaruar rrejshëm nën betim, për çka është njoftuar Prokurori i Shtetit.
Me udhëzim të Prokurorit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Deklarimi i rremë nën betim”, sipas nenit 383 të Kodit Penal. Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Dragan Vučinić është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
