Florent Maliqi, shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, po përballet me pretendime për përfshirje në një aferë të dyshuar korrupsioni që lidhet me procesin e legalizimit të disa objekteve në kryeqytet. Megjithatë, ai ka refuzuar të flasë para kamerës së KALLXO.com lidhur me këto pretendime.
Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi më një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, të shoqëruar me materiale në të cilat pretendohet se Maliqi ka zhvilluar komunikime me disa persona për çështje të legalizimeve në Prishtinë, ku përmenden edhe shuma deri në 30 mijë euro. Këto materiale të publikuara filimisht në rrjete sociale, kanë arritur edhe në adresë të KALLXO.com .
Në materialet e dorëzuara në Prokurorinë Speciale përmendet edhe emri i kryetarit Rama. Sipas pretendimeve të paraqitura, për disa procese legalizimi, në emrër të Ramës janë kërkuar shuma që arrijnë deri në 30 mijë euro.
Po ashtu, në të njëjtat materiale pretendohet se Maliqi, gjatë kohës sa drejtonte Drejtorinë e Urbanizmit, është shprehur se i kishte sjellë Përparim Ramës përfitime të konsiderueshme financiare dhe se, për këtë arsye, më pas ishte emëruar shef i kabinetit të tij. Sipas përmbajtjes së materialeve, komunikimet janë zhvilluar me një person me të cilin Maliqi kishte raporte të afërta.
Edhe pse KALLXO.com e ka kontaktuar dhe e ka pritur për disa orë në Komunën e Prishtinës, Maliqi nuk ka pranuar të japë deklaratë para kamerës për këto pretendime.
Ndërkaq, të shtunën (), Maliqi, përmes një deklarate për media të lëshuar nga zëdhënësja e Kryeqytetit, i ka mohuar akuzat për korrupsion që janë ngritur ndaj tij, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe pjesë e një fushate denigruese. Lidhur me rastin ka reaguar ditë më parë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ai nuk iu përgjigj në mënyrë specifike pretendimeve të publikuara, por tha se Komuna e Prishtinës do të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë dhe se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj kujtdo që rezulton të ketë shkelur ligjin.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Prokuroria Speciale lidhur me kallëzimin penal të dorëzuar nga Lëvizja Vetëvendosje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje. Ndërkohë, asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Berita Abazi, ka deklaruar se materialet i ka pranuar nga një sinjalizues anonim.
Sipas saj, Prokuroria Speciale ka bazë të mjaftueshme për të intervistuar si Florent Maliqin, ashtu edhe kryetarin Përparim Rama. Në një reagim të mëvonshëm në rrjetet sociale, Rama është shprehur se “është pre e një fushate linçuese”, si pjesë e një sulmi politik të drejtuar ndaj tij dhe familjes së tij.
Në materialet e dorëzuara në Prokurorinë Speciale përmenden edhe disa objekte, për të cilat pretendohet se janë legalizuar kundrejt ryshfetit. Për këtë arsye, KALLXO.com ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës dokumentacionin për procesin e legalizimit të këtyre objekteve, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pranuar përgjigje nga Zyra për Informim e Komunës.
