Një dron i pajisur me eksploziv dhe detonator ka shkaktuar alarm sigurie në aeroportin Leipzig/Halle të Gjermanisë, pasi iu afrua rrezikshëm një aeroplani ukrainas të mallrave gjatë natës. Incidentin e ka konfirmuar NATO-ja, ndërsa sipas burimeve të sigurisë, droni fluturoi shumë pranë një avioni transportues të tipit Antonov të Ukrainës, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë.
Si pasojë e ngjarjes, autoritetet pezulluan përkohësisht fluturimet dhe devijuan disa aeroplanë, përfshirë edhe një fluturim me pasagjerë, pasi u raportua për një objekt fluturues të paidentifikuar dhe u gjet një objekt i dyshimtë në zonën e aeroportit.
Policia bëri të ditur se objekti i dyshimtë u ekzaminua nga njësitë speciale për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, të cilat përdorën edhe një robot të posaçëm. Hetuesit po shqyrtojnë nëse ekziston ndonjë lidhje mes dronit të paidentifikuar dhe objektit të gjetur në tokë. Autoritetet kanë theksuar se aktualisht nuk ka kërcënim për publikun.
Pjesa veriore e aeroportit rifilloi funksionimin në orët e para të së mërkurës, ndërsa pista jugore mbeti e mbyllur deri në përfundimin e hetimeve. Aeroporti Leipzig/Halle ka rëndësi të veçantë strategjike, pasi shërben si qendër kryesore për transportin e pajisjeve ushtarake të ushtrisë gjermane dhe aleatëve të NATO-s.
Ai është gjithashtu bazë për flotën e kompanisë ukrainase të transportit ajror “Antonov Airlines” dhe strehon qendrën evropiane të shpërndarjes së “DHL Express”. Ky nuk është incidenti i parë i sigurisë në këtë aeroport. Në korrik të vitit 2024, një pako mori flakë në një objekt të DHL-së pak para se të ngarkohej në një aeroplan.
Shefi i shërbimit gjerman të inteligjencës akuzoi publikisht Moskën se qëndronte pas ngjarjes. Ndërsa në shtator të vitit 2025, një shtetas kinez u dënua për spiunazh, pasi, sipas prokurorisë, i kishte dhënë një ish-ndihmësi të një deputeti të ekstremit të djathtë informacione mbi fluturimet, ngarkesat dhe pasagjerët në aeroport, përfshirë edhe të dhëna që lidhen me transportin e pajisjeve ushtarake dhe personave të lidhur me një kompani gjermane të industrisë së mbrojtjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
