Përfaqësues të partive joshumicë joserbe kanë bërë të ditur se pritet të zhvillojnë takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja, duke u shprehur optimistë se mund të arrihet marrëveshje, sikurse në mandatin e kaluar. Por, sipas deklaratave të tyre, ende nuk është caktuar takim.
Kryetari i partisë boshnjake VAKAT, Rasim Demiri, njëherësh ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal, tha se tashmë janë në kontakt me Kurtin dhe se një takim mund të mbahet deri nesër më , para seancës konstituive. “Jemi në kontakt me kryeministrin, besoj që kemi me taku si ma herët qysh ka qenë përvoja, edhe tash deri nesër kemi me pas naj takim me kryeministrin”- deklaroi Demiri.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti i Partisë së Bashkuar Rome të Kosovës (PREBK), Albert Kinolli, i cili tha se sipas të gjitha gjasave, takimi me Kurtin do të zhvillohet nesër. “Sipas të gjitha gjasave nesër pritet të kemi takim me kryeministrin. Besojmë që do të arrijmë marrëveshje si herën e kaluar”- tha Kinolli.
Ai theksoi se për subjektin që përfaqëson prioritet mbetet konstituimi i institucioneve, duke lënë të kuptohet se nuk vendosin kushte për arritjen e një marrëveshjeje. “Për ne nuk është interesant kushti, sesa ma parë të formojmë institucionet e Republikës së Kosovës”- u shpreh Kinolli.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Për të formuar Qeverinë, një kandidati për kryeministër i nevojiten të paktën 61 vota, që përbëjnë shumicën e 120 deputetëve të Kuvendit. LVV nuk i ka votat e mjaftueshme për ta arritur e vetme shumicën prej 61 deputetësh për formimin e Qeverisë.
Për këtë arsye, mbështetja e 10 deputetëve të partive të komuniteteve joserbe, si dhe e Nenad Rashiqit, i cili përfaqëson komunitetin serb, mbetet e rëndësishme në përpjekjet për sigurimin e shumicës parlamentare. Nuk ka ende marrëveshje pas takimit të dytë mes kreut të LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit të dytë që u mbajt më .
Palët kanë zhvilluar diskutime për mundësinë e krijimit të institucioneve, por kanë bërë të ditur se bisedimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, derisa kanë mbetur më pak se dy ditë deri te seanca konstituive, dhe tri ditë nga afati kushtetues për formimin e Kuvendit.
Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 7 gusht, procesi kushtetues hyn në fazën e zgjedhjes së presidentit, për të cilin Kushtetuta parasheh një afat 60-ditor. Në rast se edhe presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon sërish në zgjedhje.
