Norvegjezi Jakob Ingebrigtsen synon të rikthehet në gara në Kampionatin Evropian të atletikës Birmingham 2026, i cili do të zhvillohet nga 10 deri më 16 gusht. Ingebrigtsen nuk ka garuar fare gjatë vitit 2026, pasi iu nënshtrua një operacioni në tendinin e akilit në janar.
Megjithatë, ai duket gati për debutimin e vonuar të sezonit në Alexander Stadium, ku pritet të përqendrohet vetëm te gara e 5000 metrave për meshkuj, në mbrëmjen e parë të kampionatit. “Mund të konfirmoj se ai do të garojë. Ai mezi pret të rikthehet. Është një lehtësim i madh dhe ai mezi e pret këtë moment,” tha zëdhënësi i Ingebrigtsenit, Espen Skoland, për “NRK”.
Edhe pse ka të drejtë të mbrojë titujt evropianë në 1500 m dhe 5000 m, si kampion në fuqi në të dyja disiplinat, një postim i tij në Instagram tregon se fokusi do të jetë vetëm te distanca më e gjatë. “Nëse pret për përgatitjen perfekte, kushtet perfekte dhe kohën perfekte, do të presësh gjithë jetën,” shkroi ai.
“Kushdo që më ka parë të garoj ndër vite e di se gara është ajo që më motivon. Jam i shëndetshëm, stërvitjet kanë shkuar shumë mirë dhe, pas diskutimeve me ekipin tim, arritëm në përfundimin se nuk ka asnjë arsye për të mos garuar. “Çfarë mënyre më e mirë për t’u rikthyer sesa në Kampionatin Evropian, ku kam kaq shumë kujtime të arta.
Do të jem në vijën e nisjes së garës së 5000 metrave më 10 gusht”.
