Solbakken: Kisha një ndjenjë të mirë për Haalandin

0%

Përzgjedhësi i Norvegjisë, Stale Solbakken, deklaroi pas fitores 4:1 ndaj Irakut në Foxborough se skuadra e tij meriton një pushim të shkurtër, por duhet ta shfrytëzojë me mençuri kohën para ndeshjeve të ardhshme në Kampionatin Botëror. Solbakken theksoi se futbollistët tani kanë mundësi të “mbushin bateritë” para sfidës së radhës në grup. “Mendoj se do t’u bëjë mirë të mos më shohin për dy ditët e ardhshme. Shumë prej tyre do të kalojnë kohë me familjet. Mund të stërviten nëse dëshirojnë, por nëse duan të luajnë golf ose thjesht të pushojnë, kjo është në rregull. E rëndësishme është të çlodhen si mendërisht, ashtu edhe fizikisht”, tha Solbakken. Ai shtoi se presioni i një gare kaq të madhe ishte i dukshëm, por ekipi i tij reagoi në mënyrën e duhur. “Të gjithë mund ta ndienin se ky ishte një moment i madh dhe një turne i vështirë. Pikërisht për këtë arsye pushimi tani është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ai. Duke folur për sulmuesin Erling Haaland, i cili realizoi dy gola, Solbakken tha se ishte i bindur se ylli norvegjez do të shkëlqente. “Atij i pëlqeu atmosfera dhe nuk e ndjeu si presion të tepërt. Kisha një ndjenjë të mirë edhe para ndeshjes. Stërvitjet e fundit kishin qenë shumë të mira, ndaj besoja se do të zhvillonte një ndeshje të madhe”, theksoi përzgjedhësi norvegjez. Norvegjia në xhiron e ardhshme do të përballet me Senegalin, i cili më herët u mposht 3:1 nga Franca. Solbakken pret një sfidë shumë më të vështirë dhe paralajmëron se nuk ka vend për nënvlerësim. “Do të përballemi me kundërshtarë që janë më afër nivelit tonë. Senegali u duk shumë solid në pjesë të mëdha të ndeshjes dhe pikërisht te kjo duhet të përqendrohemi”, përfundoi Solbakken.

Burimi: Bota Sot