Fisnik Asllani ishte marrë vesh për çdo detaj me Leipzigun, por transferimi dështoi pas problemeve të evidentuara gjatë kontrolleve mjekësore. Sulmuesi 24-vjeçar i Hoffenheimit nuk do të transferohet te Leipzigu pasi rezultatet e ekzaminimeve mjekësore bënë që gjithçka të ndalej.
Marrëveshja, e cila e parashikonte një investim prej 25 milionë eurosh, që mund të shkonte deri në 30 milionë me bonuse, dhe një kontratë deri në vitin 2031, tashmë është anuluar, duke se i ka rikthyer në skenë klubet e interesuara për përfaqësuesin kosovar.
Tani, megjithatë, Hoffenheimi i ka dalë në krahë futbollistit, të cilin e ka në dispozicion dhe të cilin nuk do ta lëshojë për një shumë më të ulët se 25 milionëshi i Leipzigut. Në garë për sulmuesin shtatlartë në fakt janë tri klube: Barcelona, Borussia Dortmundi dhe Tottenhami. Gjiganti katalunas e ka ndjekur futbollistin gjatë gjithë afatit kalimtar të verës.
Interesimi i “Blaugrana” ishte i lidhur me operacione të tjera për përforcimin e repartit ofanziv, por tani Asllani është rikthyer në tavolinë pas prishjes së marrëveshjes me Leipzigun. Barça ka mbetur pa sulmuesin Robert Lewandowski, i cili përfundoi në ligën MLS dhe pa Ferran Torresin, i cili pritet të transferohet në Paris Saint-Germain.
Prandaj, kampionët e Spanjës kanë nevojë për një sulmues qendre dhe Asllani do të ishte përforcimi ideal për Barçën. Lidhja mes Asllanit dhe Barcelonës nuk është diçka e re.
Sulmuesi e ka shfaqur publikisht admirimin e tij për klubin katalanas dhe në muajin qershor kishte publikuar edhe fotografi të lidhura me fëmijërinë e tij dhe Barcelonën, ndërsa në atë periudhë po negocionte me Borussia Dortmundin. Verdhezinjtë po ashtu vazhdojnë ta monitorojnë lojtarin.
Gjermanët e kishin identifikuar Asllanin si një alternativë për repartin ofanziv në rast të ndryshimeve në skuadër. Sipas mediave angleze, situata e re mund t’i japë edhe Tottenhamit shpresë për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit të Hoffenheimit.
Klubi londinez e kishte ndjekur më herët Asllanin dhe tani, pas dështimit të marrëveshjes me Leipzigun, mund ta rishqyrtojë mundësinë për ta bërë një lëvizje konkrete për të. Asllani e përfundoi sezonin e kaluar me 11 gola dhe 8 asistime në 35 ndeshje.
Vlera e kartonit të Fisnik Asllanit në faqen e specializuar Transfermarkt është 35 milionë euro, ndërsa ai ka kontratë me Hoffenheimin deri në vitin 2029. Ai njëherësh është futbollisti më i shtrenjtë dhe më i vlerësuar shqiptar i momentit.
