Volkswagen po përgatit një plan të gjerë ristrukturimi që mund të çojë në mbylljen e prodhimit në disa fabrika në Gjermani dhe të rrezikojë rreth 40 mijë vende pune, raportojnë mediat gjermane.
Sipas revistës Der Spiegel , e cila citon burime nga bordi mbikëqyrës i kompanisë, drejtori ekzekutiv Oliver Blume synon të ndërpresë prodhimin në fabrikat e Zwickau dhe Emden brenda pesë viteve të ardhshme. Plani parashikon gjithashtu mbylljen e fabrikës së automjeteve komerciale në Hannover në vitin 2032 dhe të fabrikës së Audi-t në Neckarsulm në vitin 2034.
Katër fabrikat punësojnë së bashku rreth 40 mijë punëtorë, ndërsa plani përfshin edhe shkurtimin e rreth 50 mijë vendeve të punës në të gjithë grupin deri në vitin 2030. Propozimet, të cilat analistët i cilësojnë si ndryshimin më të madh në historinë e prodhuesit gjerman të automjeteve, pritet të diskutohen në mbledhjen e bordit mbikëqyrës në Wolfsburg, shkruan Euronews.al.
Ndërkohë, sindikata e fuqishme gjermane IG Metall ka reaguar duke kundërshtuar planin dhe ka bërë thirrje për protesta, duke organizuar një tubim në Wolfsburg në të njëjtën ditë me mbledhjen e bordit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
