Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni gjatë një operacioni të zhvilluar në fshatin Lucka Reka, në komunën e Zubin Potokut, pas informacioneve të siguruara nga qytetarët. Sipas Policisë, aksioni u ndërmor pasi zyrtarët policorë morën njoftime se në një shtëpi të pabanuar mund të fshiheshin armë dhe mjete të tjera ilegale.
Pas kontrollit të objektit, u gjetën një armë e gjatë gjysmëautomatike, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, gëzhoja dhe një bajonetë. Në mesin e materialeve të sekuestruara janë 392 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 123 fishekë të kalibrit 7.9 mm, fishekë për armë gjahu dhe armë të gjata, si dhe municion për armë të shkurtra.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Policia bëri të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për identifikimin e personave përgjegjës dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Autoritetet kanë falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe kanë bërë thirrje që çdo informacion që lidhet me armë ilegale apo veprimtari të dyshimta të raportohet tek organet e rendit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
