Klubi zviceran Servette FCCF ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me klubin gjerman Bayer 04 Leverkusen për transferimin e futbollistes nga Kosova, Lumbardha Misini. Ky transferim hyn në histori si më i madhi që ka realizuar ndonjëherë Servette FCCF në futbollin e femrave.
Misini iu bashkua Servettes verën e kaluar nga Trabzonspori dhe gjatë qëndrimit të saj zhvilloi 25 ndeshje me fanellën e skuadrës nga Gjeneva. Ajo pati një sezon të shkëlqyer, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në rikthimin e Servettes në majën e futbollit zviceran. Skuadra fitoi dy trofe, kampionatin dhe Kupën e Zvicrës.
Paraqitjet e saj mbresëlënëse me Servetten dhe me Kombëtaren e Kosovës tërhoqën vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane. Karrierën e saj tashmë do ta vazhdojë në Gjermani, te Bayer 04 Leverkusen.
Servette FCCF e falënderoi Lumbardha Misinin për përkushtimin, profesionalizmin e treguar gjatë kohës sa ishte pjesë e klubit, duke i uruar shumë suksese në kapitullin e ri të karrierës së saj.
