Donald Trumpi duket se nuk ia ka vënë ende kapakun zemërimit me Giorgia Melonin. Presidenti amerikan e ka fshikulluar sërish kryeministren italiane përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ku e shoqëroi një foto të sajën me mbishkrimin: “Nevojitet një urdhër mbrojtjeje.” Postimi erdhi vetëm pak përpara samitit të NATO-s, që zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, dhe shihet si episodi më i fundit në përplasjen mes Uashingtonit dhe Romës.
Kjo nuk është hera e parë që Trump sulmon Melonin. Pas samitit të G7 në Evian, ai pretendoi se shefja e ekzekutivit italian i ishte lutur të bënin një foto së bashku. Meloni iu përgjigj përmes një videoje në rrjetet sociale, duke deklaruar: “As unë dhe as Italia nuk i lutemi askujt.
” Postimi i fundit pritet të ndikojë edhe në atmosferën e samitit të NATO-s, ku liderët e vendeve anëtare do të diskutojnë të ardhmen e aleancës dhe rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Për javë të tëra, qeveritë e vendeve anëtare kanë zhvilluar negociata për të shmangur përplasjet mbi objektivin që secili shtet të investojë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për sektorin e mbrojtjes.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, u shpreh optimist se samiti do të zhvillohet pa probleme të mëdha, duke theksuar se angazhimet e marra do të respektohen dhe se takimi pritet të jetë i shkurtër. Megjithatë, ai u shpreh se Trump mbetet një faktor i paparashikueshëm.
Presidenti amerikan, i cili pritet të takohet në Ankara edhe me kreun e shtetit ukrainas Volodymyr Zelensky, i ka kritikuar vazhdimisht aleatët europianë për atë qe e shikon si mungesë të kontributit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ndërkohë, disa media ndërkombëtare, përfshirë Politico, thonë se retorika e Trump ndaj aleatëve evropianë synon të ushtrojë presion për rritjen e investimeve në mbrojtje prej së cilës do të përfitonte edhe vetë industria amerikane e armëve.
