Shpërndaje në: Publicisti Veton Surroi ka reaguar pas keqinterpretimit të një deklarate të tij lidhur me demonstratat e vitit 1981, e cila është pasuar në rrjetet sociale me reagime. Në një sqarim publik, Surroi ka thënë se deklarata “nuk kishte arsye për organizimin e demonstratave të vitit 1981” është konstatm i pasaktë.
Sipas tij, keqkuptimi ka lindur nga ngatërrimi mes dy koncepteve të ndryshme: arsyes historike të demonstratave dhe shkasit të drejtpërdrejtë politik për shpërthimin e tyre. “Ky interpretim i gabuar buron nga një ngatërrim mes dy koncepteve të ndryshme: arsyes historike dhe shkasit të drejtpërdrejtë politik.
Në bisedën e tretë me historianin Milivoj Beshlin, pjesa përkatëse rrjedh kështu: ‘Beshlin: I përmendët demonstratat e vitit 1981. Ato u cilësuan kundërrevolucion, u shtypën shumë brutalisht. Në thelb, regjimi ushtarak që u fut pas vitit 1981 nuk u hoq kurrë plotësisht nga Kosova. Ajo ushtri mbeti aty.
Motivet kanë qenë të ndryshme, madje edhe ne në historiografi deri më sot, të paktën unë nuk kam parë nëse ka pasur ndikime të jashtme, nëse sovjetikët ndikuan në provokimin e atyre demonstratave, në çfarë mënyre, është thjesht e vështirë të thuhet. Surroi: Sepse nuk kishte asnjë shkas që të organizoheshin demonstratat.
Demonstratat organizohen qoftë afër, qoftë gjatë ndryshimeve kushtetuese apo partiake…’”, ka shkruar ai në Facebook. Surroi sqaron se gjatë bisedës me historianin Milivoj Beshlin, pyetja e tij kishte të bënte me arsyen pse demonstratat shpërthyen pikërisht në atë moment, ndryshe nga demonstratat e vitit 1968, të cilat ndodhën në një periudhë ndryshimesh kushtetuese dhe politike.
“Pyetja nuk ishte për arsyet e pakënaqësisë në Kosovë, por për dinamikën dhe momentin e shpërthimit të demonstratave”, ka theksuar ai.
Surroi ka shtuar se të njëjtën çështje ua kishte parashtruar edhe dy bashkëbiseduesve të tjerë gjatë vitit të kaluar, Faton Topallit, i cili ishte pjesë e organizatorëve të demonstratave të vitit 1981, dhe Azem Vllasit, që në atë kohë ishte pjesë e udhëheqjes së Kosovës.
Në intervistën e transmetuar të dielën mbrëma në podkastin “PIKË me Veton Surroin”, ku në bashkëbisedim pati historianin serb Milivoj Beshlin, Surroi ka thënë se protestat e vitit 1981 në Kosovë nuk kishin shkas të organizoheshin pasi në ato kohë nuk po zhvilloheshin procese të rëndësishme kushtetuese apo politike që do të justifikonin kërkesa për ndryshime.
