Përveç kundërshtarit, është e sigurt se edhe vetë skuadra shqiptare Deçiqi nga Tuzi mbetet një enigmë. Skuadra nga Tuzi ka kaluar nëpër ndryshime të shumta gjatë verës. Aventura e pestë evropiane e Deçiqit nis sot. Nga ora , skuadra shqiptare do të jetë mysafir i Liepajas së Letonisë në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Përveç rivalit, edhe vetë Deçiqi është një skuadër e panjohur, pasi gjatë afatit kalimtar ka pësuar shumë ndryshime. Një numër i madh futbollistësh janë larguar, ndërsa po aq të tjerë janë afruar. Ndryshim ka pasur edhe në pankinë, ku Ivan Brnoviq ka zëvendësuar Nebojsha Jandriqin. Edhe pse, ndryshe nga Deçiqi, Liepaja është në ritëm garash, forma e saj nuk është në nivelin e dëshiruar.
Në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit letonez ka regjistruar katër humbje dhe vetëm një fitore. Kjo ka bërë që skuadra të bjerë në vendin e katërt të tabelës, me plot 28 pikë më pak se lideri RFS. Deri në fund të muajit maj, portën e Liepajas e ruante rregullisht portieri malazez Danijel Petkoviq, por që nga ajo kohë ai ka mbetur vazhdimisht në bankën rezervë.
“Ne e dimë se na pret një kundërshtar cilësor dhe serioz. Ende nuk e kemi bërë analizën e detajuar, por kemi disa informacione për ta. Avantazhi i tyre është se janë në ritëm garash dhe kanë një ekip cilësor, ndërsa besojmë se kanë edhe dobësi që do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë pasi t’i analizojmë më hollësisht”, deklaroi një nga përforcimet e reja të Deçiqit, Davor Kontiq.
Me kalimin e fazës përgatitore, Deçiqi ngriti vazhdimisht formën, gjë që u reflektua edhe në rezultatet e ndeshjeve miqësore. Fillimisht barazoi 1:1 me Vllazninë, më pas mposhti Elbasanin me rezultat bindës 3:0, ndërsa në testin e fundit triumfoi 4:1 ndaj Arsenalit të Tivatit në stadiumin “Besa Arena”.
Deçiqi debutoi në arenën evropiane në sezonin 2021/22, kur u eliminua nga Drita e Gjilanit. Një sezon më vonë u ndal nga Dinamo Minsk. Në sezonin 2024/25, si kampion i Malit të Zi, garoi në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ku u eliminua nga TNS.
Më pas kaloi në Ligën e Konferencës dhe shkroi historinë duke fituar për herë të parë një përballje evropiane me dy ndeshje, ndaj Dinamo Batumit. Megjithatë, në raundin e tretë kualifikues u eliminua nga HJK Helsinki pas ekzekutimit të penalltive.
Sezonin e kaluar, në raundin e parë të kualifikimeve për Ligën e Konferencës, Deçiqi eliminoi Sileksin e Maqedonisë së Veriut, por në raundin e dytë u ndal nga Rapidi i Vjenës.
