Pas më shumë se një muaji nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet përfundimtare, duke përmbyllur zyrtarisht procesin zgjedhor dhe duke hapur fazën e konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Certifikimi i rezultateve vjen pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore, përfshirë shqyrtimin e ankesave dhe verifikimin e votave, duke i dhënë legjitimitet përbërjes së re të Kuvendit dhe shpërndarjes së mandateve parlamentare.
Zgjedhjet e 7 qershorit ishin të tretat parlamentare që Kosova organizoi në më pak se një vit e gjysmë, një tregues i paqëndrueshmërisë politike që ka karakterizuar vendin në periudhën e fundit. Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) mbetet forca më e madhe politike me 53 mandate, por pa siguruar shumicën e nevojshme për të formuar e vetme Qeverinë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shtatë mandate. Megjithëse certifikimi shënon fundin e procesit zgjedhor, ai përfaqëson vetëm fillimin e një faze të re politike, e cila pritet të përcaktojë drejtimin e vendit në vitet e ardhshme.
Tashmë vëmendja është zhvendosur te hapat kushtetues që duhet të ndiqen për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të tij, mandatin për formimin e Qeverisë dhe mundësinë e krijimit të një shumice funksionale parlamentare.
Në një situatë ku asnjë subjekt politik nuk disponon i vetëm numrat e nevojshëm për të qeverisur, negociatat mes partive pritet të jenë vendimtare. Nëse këto përpjekje dështojnë, vendi mund të përballet me një tjetër bllokadë institucionale, duke ngritur pikëpyetje mbi mekanizmat kushtetues për tejkalimin e krizës dhe afatet që parashihen për formimin e institucioneve të reja.
Burjani: Afatet kushtetuese duhet të respektohen në mënyrë strikte Për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Blerim Burjani. Fillimisht, ai tha se e gjithë procedura pas certifikimit të rezultateve duhet të ndiqet bazuar në Kushtetutën e vendit.
Për këtë, ai theksoi se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe më pas edhe presidenti i vendit. “ Tashmë duhet të ndiqet Kushtetuta e Kosovës. Fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi, të zgjidhen nënkryetarët, të formohen grupet parlamentare dhe, brenda afatit prej 25 ditësh, të propozohet kryeministri.
Më pas duhet të zgjidhet edhe presidenti, brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë”. Blerim Burjani Ai nënvizoi se afatet kushtetuese duhet të respektohen dhe se Kuvendi duhet të konstituohet sa më parë. “Këto janë afate kushtetuese dhe duhet të respektohen në mënyrë strikte.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nuk ka afat të caktuar për pritje; Kuvendi duhet të konstituohet sa më parë”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.
Halilaj: Certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënon përfundimin e procesit zgjedhor Gjithashtu, për procesin e formimit të institucioneve, në një prononcim për “Bota sot” foli edhe avokati Gazmend Halilaj. Ai u shpreh se tani ka filluar faza kushtetuese e formimit të institucioneve të reja, duke shpjeguar hapat që duhet të ndërmerren.
“Certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënon përfundimin e procesit zgjedhor dhe hap fazën kushtetuese të formimit të institucioneve të reja. Hapi i parë është konstituimi i Kuvendit, ku deputetët bëjnë betimin dhe zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të fillojë procedura për formimin e Qeverisë”.
Gazmend Halilaj Megjithatë, Halilaj potencoi se, nëse nuk ka marrëveshje dhe vullnet politik, atëherë vendi mund të shkojë në një bllokadë të re. Sipas tij, zgjidhja për raste të tilla është dialogu politik dhe respektimi i rendit kushtetues. “Kushtetuta dhe legjislacioni parashohin afate dhe procedura të caktuara, por ato nuk mund të zëvendësojnë vullnetin politik.
Nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje për krijimin e shumicës parlamentare, procesi mund të zvarritet dhe të krijojë bllokadë institucionale. Zgjidhja në raste të tilla mbetet dialogu politik, respektimi i rendit kushtetues dhe, nëse lindin kontestime mbi interpretimin e dispozitave kushtetuese, roli i institucioneve kompetente për të dhënë sqarimet përkatëse” , shtjelloi ai.
Në fund, Halilaj shtoi se përgjegjësia për funksionalizimin e institucioneve u takon subjekteve politike, të cilat kanë obligim të respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe të sigurojnë krijimin e institucioneve sa më shpejt që të jetë e mundur.
