Shpërndaje në: Shoqata e Prodhuesve vendorë ka kërkuar nga institucionet e shtetit që të mbrojnë zinxhirin vendor të prodhimit, pas tensioneve që u shpërfaqën në sektorin e qumështit. Ditë më parë Qumështorja “Vita” u vetëmbyll pas një inspektimi nga institucionet.
Bordi i kompanisë u ankua se në treg po lejohen produkte të importuara me pretendimin se vijnë me çmim më të lirë se në tregjet e vendeve përkatëse. Pas protestave të fermerëve, u arrit dakordimi me Ministrinë e Bujqësisë që deri më 12 korrik të publikohen rezultatet e inspektimit në “Vita”.
Tani, në një komunikatë për media, Shoqata e Prodhuesve, ka kërkuar veprim të menjëhershëm të institucioneve në mbrojtje të prodhuesve. Në komunikatën e përbashkët me Odën Ekonomike, prodhuesit kanë bërë thirrje për trajtim të barabartë. Kërkesat : 1.
Publikimi i menjëhershëm i rezultateve të analizave zyrtare I bëjmë thirrje Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që të publikojnë rezultatet e mostrave të marra, bazuar në analiza laboratorike zyrtare dhe transparente, me qëllim eliminimin e çdo paqartësie në treg. 2.
Mbështetje konkrete institucionale për prodhuesit vendorë Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmarrjen e masave urgjente për mbështetjen e zinxhirit prodhues vendor, përmes politikave fiskale nxitëse, lehtësimeve administrative, diplomacisë ekonomike dhe mekanizmave të tjerë mbështetës. 3.
Ndalja e deklarimeve dhe veprimeve që dëmtojnë sektorin pa bazë faktike Kërkojmë që çdo pretendim për cilësinë apo sigurinë e produkteve ushqimore të trajtohet përmes institucioneve kompetente dhe procedurave profesionale, duke shmangur veprimet që krijojnë pasiguri te konsumatorët dhe dëmtojnë padrejtësisht prodhuesit vendorë. 4.
Përshpejtimi i hapave për eksport në tregjet evropiane Kërkojmë ndërmarrjen e masave konkrete që do t’u mundësojnë prodhuesve vendorë eksportin e produkteve me bazë shtazore në tregun evropian, përfshirë avancimin e proceseve për njohjen e certifikatave përkatëse të lëshuara nga institucionet vendore. 5.
Respektimi i standardeve profesionale në raportim dhe mbikëqyrje Institucionet dhe të gjitha palët e përfshira duhet të veprojnë mbi bazën e ligjeve në fuqi dhe standardeve profesionale, duke garantuar një treg të sigurt, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë operatorët.
