Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës është dëmtuar, ndërsa rasti po hetohet nga Policia e Kosovës. Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes pas pranimit të informatës dhe kanë konstatuar dëmtime në objektin përcjellës të kompleksit.
“Njësitet policore, pas pranimit të informatës, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në objektin përcjellës – në kullë – kanë vërejtur disa dëmtime nëpër tavan dhe në korridorin e objektit. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.
Pas këtij rasti ka reaguar ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i cili e ka dënuar ashpër dëmtimin e memorialit, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj historisë dhe kujtesës kolektive të Kosovës. “Sot u njoftuam për dëmtimin e Kompleksit Memorial ‘Zahir Pajaziti’.
Dëmtimi i komplekseve memoriale të dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës nuk është vetëm vandalizëm, por sulm ndaj kujtesës kolektive, ndaj historisë sonë dhe vetë themeleve mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës ”, ka shkruar Hoti. Ai theksoi se memorialet janë simbol i sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit dhe se sulmet ndaj tyre janë të papranueshme.
“Këto memoriale nuk janë gurë e beton, por dëshmi e sakrificës së atyre që dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë. Kush ngre dorë mbi to, le ta dijë që po ngre dorë mbi dinjitetin e shtetit tonë”, ka deklaruar ai. Hoti ka shprehur shqetësim edhe për shtimin e rasteve të ngjashme, duke kërkuar që institucionet e drejtësisë t’i trajtojnë ato me seriozitet maksimal.
“Raste të tilla të shpeshtuara së fundmi, si rasti i sotëm i Kompleksit Memorial ‘Zahir Pajaziti’, janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh nga institucionet e drejtë sisë”, ka theksuar ministri në detyrë. Në fund, ai kërkoi identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve, duke shtuar se nuk duhet të ketë tolerancë ndaj akteve të tilla.
“Autorët duhet të identifikohen dhe të përballen me pasojat më të rënda që parasheh legjislacioni në fuqi. Nuk mund të ketë as tolerancë e as heshtje për akte të tilla. Respekti për dëshmorët dhe heronjtë nuk është çështje bindjeje politike. Është detyrim qytetar, moral dhe shtetëror. Kosova nuk do të lejojë që historia e saj të përdhoset ”, ka përfunduar Hoti.
