Liderja e së djathtës ekstreme në Francë, Marine Le Pen, është dënuar me një vit arrest shtëpiak nga Gjykata e Apelit në Paris, një vendim që vë në pikëpyetje pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet presidenciale të planifikuara për prillin e vitit të ardhshëm. Gjykata vendosi gjithashtu një ndalim prej 45 muajsh për ushtrimin e funksioneve publike, prej të cilëve 30 muaj janë pezulluar.
Sipas vendimit, pjesa e mbetur konsiderohet e përmbushur për shkak të llogaritjes nga dënimi i shkallës së parë, çka do të thotë se, në teori, Le Pen mund të kandidojë. Megjithatë, ajo është dënuar edhe me tre vjet burg, dy prej të cilëve janë pezulluar, ndërsa një vit do ta vuajë në arrest shtëpiak me byzylyk elektronik.
Le Pen kishte deklaruar më herët se nuk do të hynte në garën për të pasuar presidentin francez, Emmanuel Macron, nëse do të ishte në arrest shtëpiak, pasi kjo do ta pengonte të zhvillonte një fushatë normale. “Kur je kandidate për presidente, duhet të jesh plotësisht e lirë të lëvizësh.
Nuk mund të varem nga një gjyqtar për të më lejuar të marr pjesë në një tubim”, ishte shprehur ajo, raporton Euronews, transmeton Sinjali. Çështja lidhet me një skemë të dyshuar të keqpërdorimit të fondeve të Parlamentit Evropian gjatë viteve 2004–2016.
Në gjykimin e shkallës së parë, Le Pen, 24 ish-eurodeputetë, ndihmës dhe zyrtarë të tjerë, si dhe partia e saj, u shpallën fajtorë për përdorimin e fondeve evropiane për të paguar staf që punonte për partinë në Francë.
Gjatë procesit të apelit, Le Pen mohoi se partia e saj kishte ngritur një sistem për përvetësimin e fondeve të Parlamentit Evropian, duke këmbëngulur se kishte vepruar “me mirëbesim të plotë”.
Prokuroria, ndërkaq, pretendoi se Le Pen kishte institucionalizuar një praktikë të nisur më herët nga babai i saj, Jean-Marie Le Pen, themelues i partisë, për devijimin e fondeve të Bashkimit Evropian. Pavarësisht problemeve ligjore, sondazhet e fundit e rendisin të djathtën ekstreme si favorite në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Megjithatë, rezultatet për balotazh mbeten të ndara, ndërsa disa anketa sugjerojnë se Le Pen do të kishte shanse reale për fitore nëse lejohet të kandidojë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
