Numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës është rritur gjatë muajit maj 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa rritja është nxitur kryesisht nga turistët e huaj, të cilët kanë qëndruar edhe më gjatë në vend.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë muajit maj 2026 në hotele u regjistruan 69,081 vizitorë, ose 11.5% më shumë se në maj 2025, kur ishin regjistruar 61,931 vizitorë. Rritja është udhëhequr nga vizitorët e huaj. Në maj 2026, 44,055 turistë të huaj vizituan Kosovën, krahasuar me 37,300 një vit më parë, që përfaqëson një rritje prej 18.1%.
Ndërkohë, numri i vizitorëve vendorë mbeti pothuajse i pandryshuar, duke u rritur vetëm nga 24,631 në 25,026, ose 1.6%. Edhe net-qëndrimet e turistëve të huaj shënuan rritje të konsiderueshme. Gjatë majit 2026 ata realizuan 88,957 net-qëndrime, ose 23.6% më shumë se në maj 2025, kur ishin regjistruar 71,957 net-qëndrime.
Në total, hotelet në Kosovë regjistruan 155,599 net-qëndrime, krahasuar me 144,265 në maj të vitit të kaluar, që paraqet një rritje prej rreth 7.9%. Turqia shënoi rritjen më të madhe Sipas ASK-së, rritjen më të madhe ndër shtetet kryesore e shënuan turistët nga Turqia. Numri i vizitorëve nga Turqia u rrit nga 2,755 në maj 2025 në 4,672 në maj 2026, ose 69.6% më shumë.
Pas Turqisë, rritje të ndjeshme pati edhe nga Gjermania, ku numri i vizitorëve u rrit me 24%, nga 3,883 në 4,815, ndërsa vizitorët nga kategoritë e shteteve të tjera u rritën me 19.6%. Vizitorët nga Zvicra u rritën me 3.7%, ndërsa ata nga Shqipëria mbetën pothuajse në të njëjtin nivel, me një rritje prej 0.2%.
Edhe sa u përket net-qëndrimeve, turistët nga Turqia shënuan rritje prej 34.3%, ndërsa net-qëndrimet e vizitorëve nga Gjermania u rritën me 21.1% kurse nga Zvicra me 23.3%.
Në anën tjetër, ndonëse numri i vizitorëve vendorë u rrit lehtë, net-qëndrimet e tyre ranë nga 72,308 në 66,642, ose rreth 7.8%, duke treguar se vizitorët vendorë kanë qëndruar më pak në hotele krahasuar me majin e vitit të kaluar. Statistikat e hotelerisë për muajin maj 2026 të publikuara nga ASK mund t’i gjeni KËTU .
