Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca duhet të bëhet “më evropiane” dhe të zvogëlojë varësinë e saj afatgjatë nga mbështetja ushtarake e Shteteve të Bashkuara.
Në prag të samitit të NATO-s në Ankara, Rutte dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksuan se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, përmes rritjes së investimeve dhe forcimit të industrisë së mbrojtjes. “Nuk mund të vazhdojmë si më parë, duke u mbështetur tepër te Shtetet e Bashkuara.
Na duhet një Evropë shumë më e fortë brenda një NATO-je më të fortë. Që të ruajmë partneritetin transatlantik, duhet të bëhemi më evropianë”, deklaroi Rutte, raporton Euronews, transmeton Sinjali. Deklaratat vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Evropës dhe SHBA-së janë tensionuar pas sulmeve amerikane ndaj Iranit dhe reduktimit gradual të pranisë ushtarake amerikane në kontinent.
Për këtë arsye, vendet evropiane po përpiqen t’i dëshmojnë presidentit amerikan, Donald Trump, se janë të gatshme të marrin më shumë barrë në fushën e mbrojtjes, duke rritur ndjeshëm investimet ushtarake.
Von der Leyen prezantoi planet e Komisionit Evropian për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të bllokut, përfshirë një program huash prej 150 miliardë eurosh dhe 135 miliardë euro të planifikuara në buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, Rutte paralajmëroi se NATO duhet të zgjerojë ndjeshëm industrinë e saj të mbrojtjes për t’iu përgjigjur kërcënimeve në rritje nga Rusia.
Sipas tij, Rusia ka vendosur të gjithë ekonominë e saj në funksion të luftës dhe po bashkëpunon ngushtë me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën. “Duhet të mbrojmë veten. Është detyra e parë e çdo qeverie. Kërcënimi ekziston dhe nuk duhet të jemi naivë”, përfundoi ai. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
